TIRANË

Ish-deputeti demokrat dhe ish-ministri Flamur Noka ka qenë i ftuar në studion e News24, në rubrikën “Opinion” ku ka folur për situatën politike dhe qëndrimet e opozitës. Noka foli dhe për gjyqin ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri. Pjesë e bisedës ka qenë edhe lideri i lëvizjes studentore Azem Hajdari, në 21-vjetorin e vrasjes së tij.

Noka u përgjigj për marrëdhëniet e demokratëve me familjen Hajdari por edhe për raportin me deputeten Rudina Hajdari e cila doli kundër vendimit të PD për djegien e mandateve. Sa i përket homazheve të ndara me Kuvendin, Noka tha se secili ka axhendën e tij dhe se ende nuk është kërkuar falje për këtë vrasje politike.

“Azem Hajdari në këtë vend ka ardhur duke u shuar, jo për ne demokratët që e përkujtojmë prijësin e demokratëve por për çdo shqiptar ka dhimbje të fortë. Sot dhimbja është shumë më e madhe se kurrë sepse sot Shqipëria për të cilën luftoi dhe i flijua Azem Hajdari është larg asaj që ai ëndërroi. Sot Shqipëria është një rikthim në një diktaturë por jo tashmë diktaturë politike komuniste por një diktaturë të krimit e korrupsionit. Fatkeqësi e madhe që Shqipëria në këto vite ka një regres. Prandaj vepra e Azem Hajdarit po kujtohet çdo vit me më madhështi”, tha Noka.

Pse ceremoni të ndara këtë vit?

Ne demokratët  kemi ruajtur një traditë në përkujtimin e liderit të dhjetorit, prijësit të lëvizjes studentore Azem Hajdari apo të çdo demokrati i cili ka rënë në betejën për liri, demokraci dhe një Shqipëri si gjithë Europa. Axhenda jonë ka qenë e pandryshueshme dhe ne nuk kemi pranuar kurrë që të ndryshojmë një axhendë e cila është në respekt të të rënëve, në respekt të heroit të demokracisë dhe në respekt të veprës së tyre. Kuvendi duhet të kishte reflektuar me kohë, është hera e parë që e bëjnë. Ne nuk mund t’i bashkëngjitemi axhendës së atyre që organizuan sepse ishte qeveria e PS-së që fshihej pas atentatit. Prandaj ne nuk mundemi, as është kërkuar falje për këtë vrasje politike të shekullit, as është reflektuar. Kështu që ne axhendën tonë do ta vazhdojmë, ata kanë punën e tyre.

A i takuat sot familjarët e Azem Hajdarit dhe çfarë marrëdhëniesh keni me ta?

Kryetari i Partisë, lideri i PD-së, ish-kryetari zoti Berisha, së bashku me ekipin drejtues të partisë çdo vit ritualin e kanë të përcaktuar pas homazheve, vizitë në familjen e heroit të demokracisë. Sigurisht asgjë dhe askush nuk mund ta zbehë veprën, kontributin e heroit të demokracisë Azem Hajdari, ndaj marrëdhënia e PD-së me familjen Hajdari është e pandryshuar.

Po në marrëdhënien e drejtpërdrejt me Rudina Hajdarin, ajo ka qenë deputete në grupin tuaj parlamentar por nuk pranoi të dorëzonte mandatin. A vijon të ruani marrëdhëniet apo ka pasur përçarje pas këtij vendimi?

Rudina Hajdari ka zgjedhur rrugën e saj, e cila nuk ka asnjë lidhje me rrugën që ndjek PD-ja. Unë e kam thënë gjithmonë dhe e them, nuk besoj kurrë që Azem Hajdari do ndiqte këtë rrugë por ne e vlerësojmë dhe për këtë arsye për vlerësimin ndaj familjes Hajdari për kontributin dhe veprën e heroit të demokracisë Azem Hajdari, Rudina Hajdari është futur në listën e deputetëve nga ana e PD-së dhe ky është vlerësim maksimal që mund të bëhet. Pastaj gjithsecili ka rrugën e vet.

Çështja Tahiri, më 19 shtator Gjykata do të shprehet për ish-ministrin. A do dënohet Saimir Tahiri sipas jush?

Nguti në këtë periudhë për të proklamuar si një dënim të Saimir Tahirit është një lojë që Edi Rama po bën me faktorin ndërkombëtar në prag të marrjes së vendimit për negociatat. Sigurisht Saimir Tahiri është përgjegjës për kanabizimin e Shqipërisë dhe për institucionalizimin e një ekonomia kriminale të drogës në vend. Është përgjegjës për qindra të vrarë nga pazaret e drogës apo nga problemet me drogën. Është përgjegjës për inkriminimin që i bëri Policisë së Shtetit dhe një pjesë të administratës. Por mbi të gjitha në këtë vend ka një kryepërgjegjës që është bashkëfajtor po sa Saimiri dhe pak më shumë dhe ky është Edi Rama. Saimir Tahiri meriton dhe ka merituar të përballet me drejtësinë për të gjitha këto krime që i ka shkaktuar këtij vendi. Por më shumë se ai përgjegjësinë e ka Edi Rama, kapoja i krimit të organizuar në Shqipëri sepse Saimiri ishte thjesht një ndërlidhës, mes Edi Ramës dhe krimit të organizuar. E tha dhe vetë Saimir Tahiri këtë që po them unë. Ne e kemi thënë prej kohësh, opozita, me fakte dhe prova dhe tashmë ka filluar të belbëzojë edhe Saimiri, pasi e sheh veten të lëshuar apo të braktisur.

Pra ju thoni që do dënohet vetëm si ‘kokë turku’ nga ana e Edi Ramës për negociatat me BE-në?

Saimir Tahirin po përpiqet Rama t’ia servirë BE-së si kokë turku për negociatat. Pastaj problemet e Saimir Tahirit me drejtësinë janë të qarta dhe dihen botërisht…  Saimir Tahiri dhe Edi Rama janë bashkë dhe të pandarë në përgjegjësitë ndaj këtij vendi për kanabizimin, për kriminalizimin dhe për shkatërrimin e këtij vendi.

Kryemadhi u shpreh që LSI është e gatshme të hyjë në zgjedhje edhe me Ramën kryeministër, ky në fakt ka qenë kushti i parë dhe më i forti për opozitën. Çfarë ka ndodhur me opozitën? Ju i qëndroni vendimit për të zgjedhje pa Edi Ramën por me LSI-në ju është bërë e ditur kjo gjë?

PD është treguar mjaft e kujdesshme me aleatët. Asnjë vendim nuk është marrë apo është bërë publik për opinionin pa u konsultuar me tryezën e aleatëve. Edhe për aksionin e vjeshtës ka filluar tryeza e aleatëve opozitarë dhe është në vazhdim. PD, LSI dhe të gjithë aleatët kanë pasur një devizë. Zgjedhje në këtë vend me Edi Ramën nuk mund të jetë. Edi Rama është armiku numër një i votës së lirë dhe zgjedhjeve në këtë vend. E faktuar dhe e provuar! Dosja 339 dhe dosja 184 janë dy dosje që kanë fakte ulëritëse që vërtetojnë çdo akuzë që ka ngritur PD dhe opozita.

Si po përgatitet aksioni opozitar tani se po flitet për zgjedhjet parakohshme në pranverë, madje sipas lajmit më të fundit që është publikuar në gazetën “Panorama”, vetë zoti Rama e ka bërë të ditur brenda të tijve duke iu thënë se: bëhuni gati se mund të kemi zgjedhje të parakohshme deri në mars. Do të kemi zgjedhje të parakohshme dhe si do të vijojë aksioni opozitar?

Qëllimi i aksionit opozitar është bërë publik me datë 16 shkurt,. Shqipëria duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale dhe zgjedhjet do të organizohen nga një qeveri teknike, pa Edi Ramën kryeministër. Ky qëndrim është i panegociueshëm dhe i patjetërsueshëm për ne. Ndaj nuk është ndonjë gjë e re të thuash se do të këtë zgjedhje, sepse do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Ne gjithë axhend2ën tonë dhe të gjithë aksionin opozitar, e kemi venë në funksion të kësaj axhende dhe end po punojmë për këtë axhendës. Shqipëria do të shkojë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme dhe edhe politike edhe lokale, sepse 30 qershori është nul. Edhe OSBE e ka bërë nul. Është e vetmja organizatë që e ka shprehur zyrtarisht dhe ka monitoruar të famshmet votimet moniste të PS dhe i ka kryqëzuar duke i quajtur nul.  Zgjedhjet kanë rënë. Zgjedhjet do të këtë dhe ato sigurisht do të jenë të parakohshme.

Ju do t’i vijoni protestat kombëtare?

Axhendën e aksionit do ta përcaktojë tryeza e opozitës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb