TIRANË- Deputeti i PD-së, Flamur Noka akuzoi Kreun e Kuvendit se po vjedh pasuritë e nëntokës duke dëmtuar fshatrat e Kukësit dhe po ushtron terror ndaj banorëve të këtij rrethi. Në një deklaratë për mediat, Noka tha se dje në fshatin Mamës, policia ka shoqëruar 50 banorë dhe ka ushtruar dhunë ndaj tyre.

“Mafia e minierave e Ilir Metës, që merret me biznesin e kromit po grabit në mënyrë arbitrare jo vetëm pasurinë e fshatrave të Kukësit, por po dhunon e ushtron terror prej shumë kohësh ndaj banorëve të këtij rrethi. Dje në fshatin Mamëz policia ka arrestuar e dhunuar fizikisht, burra e gra e të moshuar. 50 banorë janë shoqëruar në komisariat. E njëjta situatë e rëndë është edhe në fshatin Kalimash e Surroj. Banorët e fshatrave ngrenë zërin, dhe protestojnë sepse mafia e minierave e Ilir Metës, po grabit pasurinë, po dëmton pronat e tyre, protestojnë sepse kjo mafie e kromit është sulur ngado, dhe babëzia e saj nuk ka kursyer as oborret e shtëpive”, deklaroi Noka.

Ish-ministri i Brendshëm tha se prej afro dy vitesh në Kukës është prezente kjo klimë terrori pasi mafia e kromit nuk kursen askënd.

“Kushdo që kundërshton, e pret dhuna e policisë dhe burgu, pasi në anën tjetër të këtij biznesi është ortaku i Ilir Metës, Saimir Tahiri, i gatshëm për bashkëpunim kriminal, në këtë rast bashkë me kushëririn e tij drejtor policie në Kukës. Prej afro dy vitesh, kjo klimë terrori është prezent në Kukës, dhe në shumë fshatra ku mafia e kromit e licencuar dhe e kontrolluar nga Ilir Meta nuk kursen askënd”, tha ai.

Në emër të PD-së, Noka i bëri thirrje Policisë së Shtetit të tërhiqet nga represioni antiligjor. Ai paralajmëroi se nëse nuk hiqet dorë nga provokimet e popullit,  të Kukësit pasi në të kundërt sipas tij do të mbajnë përgjegjësi.

“Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të tërhiqet menjëherë nga ky represion antiligjor. Ne i bëjmë të ditur personave përgjegjës, se do të shkojnë para ligjit për këtë dhunim brutal që po u bëjnë banorëve. Partia Demokratike i bën të ditur frymëzuesve dhe porositësve të kësaj dhune, Ilir Metës e mashave të tij, që të mos provokojnë qytetarët e banorët e Kukësit, pasi do të mbajnë përgjegjësi deri me një. Populli është në këmbë. Ora e drejtësisë po afron”, tha Noka.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: