TIRANË- Partia Demokratike ka kërkuar serish dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sot ka qenë deputeti Flamur Noka, i cili ka deklaruar se Tahiri është një turp kombëtar dhe se qëndrimi i tij në detyrë zmadhon inkriminimin.

“Çdo ditë që kalon me Saimir Tahirin si Ministër i Brendshëm, është një zmadhim i inkriminimit, është një dhunim ligjit, një shkelmim i çdo standardi e norme në këtë vend.

Për 10 ditë me radhë, ai nuk u përgjigj për akuzat më të rënda që i janë bërë ndonjë ministri të brendshëm si i lidhur këmbë e krye me bandat e trafikut të drogës, akuza të bëra nga një oficer i lartë policie, me prova e fakte konkrete.

Sigurisht Tahiri sulmoi oficerin, i vlerësuar ndërkohë nga partnerët për punën e tij, dhe sulmoi opozitën që kërkoi largim dhe hetim të Ministrit”, tha Noka.

Ish-ministri i Brendshëm tha se “Tahiri nuk guxoi të thoshte asnjë fjalë pse makina e tij, AA003GB, përdorej nga Habilajt e drogës për trafikimin e narkotikëve”. “Saimir Tahiri nuk u kishte dhënë atyre thjesht makinën, të gjithë jemi të qartë. Bashkë me makinën personale, u kishte dhënë imunitet, u kishte hapur rrugët, u kishte hapur dyert. Trafikantët me makinën e ministrit bënin ç’të donin dhe kudo ku kalonin vetëm nderoheshin nga punonjësit e policisë. Po flasim për persona me precedentë, kontigjentë policie, të njohur si trafikantët më të mëdhenj të drogës në Vlorë e në gjithë Jugun”, deklaroi Noka.

Sipas tij, ministri Tahiri e pranoi se makina ishte përdorur nga trafikantët por edhe se e ka shitur makinën pa e deklaruar, duke e akuzuar për shkelje të ligjit.

“Më në fund, në një gjendje jo shumë të esëllt, Saimir Tahiri e pranoi se po, makina e tij ishte përdorur nga trafikantët. Dhe më keq, Saimir Tahiri pohoi edhe një krim tjetër, kur tha se e paska shitur makinën, por në të zezë, nuk e ka deklaruar, nuk ka paguar taksa për këtë aktivitet. A e përfytyroni dot se sa ligje janë shkelur këtu, nga kush? Nga ministri i Brendshëm”, tha më tej ai.

Noka e akuzoi ministrin e Brendshëm se bashkëpunon në krim dhe bën deklarime të rremë duke përdhosur shtetin.

“Bashkëpunon në krim duke u dhënë makinën trafikantëve, pastaj bën deklarime të rreme kur thotë se makinën nuk e paska më në zotërim, por këtë nuk e vërteton dot, sepse po ta vërtetojë, e kap ligji tjetër i fshehjes së pasurisë dhe e evazionit fiskal. Vetë zot vetë shkop, ligj e Maliq së bashku. Këtu gjendemi sot, në këtë ditë të përdhosjes së shtetit nga ai që e kemi Ministër të Brendshëm”, u shpreh ai.

Për PD-në, Tahiri është një rrezik për ligjin dhe sigurinë, pasi sipas Nokës bashkëpunon me bandat.

“Saimiri i Ramës është sot një turp kombëtar që vendi ynë, shoqëria dhe qytetarët nuk mund ta mbajnë. Por është gjithashtu një rrezik permanent për ligjin dhe sigurinë, pasi bashkëpunon me bandat, dhe këtë e pranon edhe vetë, fsheh pasurinë, dhe këtë e pranon edhe vetë. Largohu një orë e më parë e shko para drejtësisë përpara sa zullumi të kthehet në një ortek popullor që nuk ndalet më”, përfundoi ai.

MPB: KJO ËSHTË KOHA E RILINDJES SË BESIMIT TË SHQIPTARËVE TEK SHQIPËRIA DHE SHTETI EUROPIAN 

Pas akuzave të njëpasnjëshme të Partisë Demokratike ndaj Ministrit Tahiri, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme. Në një deklaratë për mediat, MPB thotë se PD po përbalt sukseset e policisë, të cilat sipas saj po shënojnë një kthesë historike në rrugën e ndërtimit të shtetit modern evropian.

“Nuk ka mbetur asgjë tjetër përveçse ta falënderojmë Partinë Demokratike që me konferencat e saj të përditshme për të përbaltur sukseset e Policisë së Shtetit, në fakt i bën jehonë këtyre sukseseve që po shënojnë një kthesë historike në rrugën e ndërtimit të shtetit modern europian shqiptar. Falënderimet tona janë edhe më të veçanta, kur PD i bën jehonë goditjeve me zero tolerancë ndaj çdokujt që nën kostumin e pushtetit të maxhorancës apo i lidhur në cilëndo mënyrë me përfaqësuesit politik të maxhorancës, goditet me forcën e ligjit për shkeljen e ligjit”, deklaron MPB.

Më tej, Ministria e Brendshme thekson se koha e të fortëve të veshur me pushtet ka vdekur me pushtetin e korruptuar të Sali Berishës dhe kjo është koha e rilindjes së besimit të shqiptarëve.

“Urojmë që Partia Demokratike të mos pushojë asnjë ditë në këtë përpjekje të dëshpëruar për të, por të mirëseardhur për qeverinë tonë, e cila edhe falë konferencave të baltës së SHQUP-it, përçon tek shqiptarët mesazhin e saj kryesor: Koha e të fortëve të veshur me pushtet apo e të paprekshmëve për shkak të lidhjeve me pushtetin, ka vdekur bashkë me pushtetin e korruptuar të Sali Berishës. Kjo është koha e Rilindjes së besimit të shqiptarëve tek Shqipëria dhe shteti europian i shqiptarëve”, shprehet MPB.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: