Ish-kryeministri Sali Berisha në një dalje për mediat deklaroi se ka depozituar në gjykatën franceze një padi kundër deklaratave të sekretarit amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ku deputeti demokrat dhe familja e tij u shpallën non-grata.

Berisha ftoi sekretarin Blinken që të bëjë publike nëse ka prova ndaj tij.

“Së pari, ju falënderoj që jeni të pranishëm në këtë konferencë, që e kam thirrur për t’ju njoftuar se avokati im, ka dorëzuar padinë time për shpifje në gjykatën Koreksionale të Parisit. Siç ju kam njoftuar më parë se pas vendimit të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken për të më shpallur non-grata mua, bashkëshorten dhe dy fëmijët, bazuar tek hakmarrja e Edi Ramës, dhe mikut të tij George Soros, autorizova avokatin që të ngrejë padinë për shpifje. Javën që kaloi avokati dorëzoi këtë padi pranë kësaj gjykate dhe ju do të merrni dëshminë e dorëzimit.

Sipas avokatit tim kjo padi në gjykatë në shpifje bazohet në precedentët e mëparshëm të ngjarjes, në parimin universal’ imuniteti; nuk mund të përdoret si mburojë. Padia ime bazohet; ‘shpifja në internet dënohet kudo, ku del lajmi, ku ndodh dëmi’. Gjithçka varet nga interpretimi i gjykatësit që do të gjykojë çështjen. I bëj thirrje sekretari të SHBA-ve që në emër të transparencës të dërgojë dokumentin dhe provën që ai apo çdo kush tjetër në botë disponon kundër Sali Berishës.”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb