Shpalljet britanike non gratta të personazheve politikë e publikë nga rajoni dhe Shqipëria kanë pika takimi me shpalljet e ngjashme nga SHBA. Kanë të njëjtin target kryesor-korrupsionin- dhe të njëjtin qëllim: nxitjen e llogaridhënies dhe dhënies fund të pandëshkueshmërisë.

Me fjalë të tjera, neutralizmin e politikanëve të korruptuar dhe klaneve kriminale rreth tyre si celula antikombëtare dhe antiperëndimore.

E kush tjetër veç SHBA dhe Britanisë së Madhe. Ata janë një tandem i pashok i botës së lirë në dy anët e Atlantikut, aksi i çeliktë i euroatlantizmit, dy rrufe që shkojnë tu iu djegë, siç do të thoshte Fishta, miqtë tanë të vyer.

Për të mos u shpërndarë shumë në kohë dhe në hapësirë, mjafton të kujtojnë rolin e tyre pararojë për çlirimin e Kosovës nga pushtimi dhe aneksimi i gjatë serb . Apo mbështetjen e fuqishme politike, ushtarake dhe diplomatike që po i japin sot rezistencës së Ukrainës kundër invazionit të paprovokuar ushtarak të Rusisë së Putinit.

Është e natyrshme që kur kërcënohet liria, dy bastionet e demokracisë të shtrëngojnë radhët dhe bashkëpunimin. Në këtë kuadër edhe sintonia e tyre në qasjet ndaj zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri.

Është domethënëse që shpalljet britanike të personave non gratta bëhen në kulmin e luftës në Ukrainë ku Britania e Madhe është absolutisht vendi më i angazhuar i kontinentit për furnizimin me armë të vendit të sulmuar, për stërvitjen e trupave ukrainase, për mbledhjen dhe analizën e specializuar të informacionit nga zonat e luftës.

Strucët politikë të Shqipërisë kanë jo vetëm kufizimin, por edhe dinakërinë ta tregojnë vendin e tyre si një ishull pa lidhje me botën-kështu e sundojnë më mirë. Dhe t’i shohin ngjarjet e mëdha në optikën e haxhiqamiliste “ç’më duhet Londra kur kam Shijakun”. Nga kjo optikë, ata përpiqen t’i trajtojnë sanksionet e SHBA dhe Britanisë së Madhe në nivelin e meskinitetit provincial dhe intrigave mes të cilave jetojnë.

Në fakt, shpalljet e Britanisë së Madhe në kulmin e një lufte me shumë të panjohura sa i takon perspektivës së saj, janë shumë më afër një operacioni në prapavijat e frontit se sa një veprimi rutinë . Aq më tepër nëse mbajnë parasysh deklaratat e të dërguarit për Europën Juglindore, Sir Stuart Peach, se shpalljet e javës së shkuar janë vetëm vala e parë.

Këto shpallje kanë veçorinë që të sanksionuarit, me ndonjë përjashtim, nuk publikohen me emra, por njoftohen drejtpërsëdrejti. Falë Sali Berishës që zbardhi për publikun sanksionimin e tij, mësuam një veçori tjetër të tyre: Në to nuk referohet vetëm motivacioni, por referohen edhe raste konkrete, me emër dhe mbiemër, që ilustrojnë motivacionin.

Zoti Berisha bëri me dije se Londra kishte evidentuar marrëdhënien e tij gjatë kohës kur ka qenë kryeministër me Damir Fazlliç, një personazh kontravers i ndërthurjeve të errëta rajonale e më gjerë, i shfaqur herë si specialist PR-je, herë si sekser, herë si korrier, herë si biznesmen. Ai pati bërë “histori” përgjatë qeverisjes së Berishës, veç të tjerash, duke marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare apo duke sfiduar si në filmat me mafia, nën mbrojtjen e policisë së shtetit që e shoqëroi deri sa e hipi në avion në Rinas, urdhrin e ndalimit të tij nga Prokuroria shqiptare që po e hetonte për pastrim parash.

Për tu ndalur pak të specifikat e shpalljeve britanike në raport me ngjarjet në PD, bien në sy dy syresh: e para , qeveria që ka vendosur këto shpallje i përket partisë konservatore më të vjetër e më solide të botës , çfarë e zhvesh nga ngjyrimi politik sanksionimin e zotit Berisha dhe heq një tjetër pikë nga manuali i tij i spekulimeve, atë që non gratën e ka nga të majtët soroistë në Deparmantin e Shtetit dhe do t’ja heqin republikanët konservatorë kur të vinë në pushtet!! E dyta, saksionimi britanik ka ndodhur jo kur ishte një deputet i thjeshtë i PD-së, por kur pretendon se ka marrë drejtimin e saj me një vendim të ankimuar dhe të shfaqet si shef i opozitës në Shqipëri. Do të thotë, se siç e kam nënvizuar disa herë në shkrimet e mëparshme, jo një pjesë e partisë, por edhe sikur gjithë votuesit e PD-së të bëhen bllok prapa tij nuk se fiton gjë Berisha, thjesht humbin demokratët. E vetmja zgjidhje për të synuar bashkimin, rritjen, zgjerimin e mbështetjes popullore dhe fitoren e PD-së është heqja mënjanë e zotit Berisha. Dua të përsëris se një qeveri e PD-së me një kryeministër dinjitoz mbetet drita e vetme në fund të tunelit edhe për zotin Berisha. Nuk është ende vonë për të reflektuar e hedhur hapin e duhur.

Për tu kthyer te veçoritë e përgjithshme të shpalljeve britanike, shihet se përveç korrupsionit, ato kanë në fokus lidhjet e politikës me krimin dhe shitblerjen e votës. Pra kanë vënë gishtin te dy plagë që përbëjnë boshtin e denoncimeve të opozitës , duke qenë një shkak madhor i pengimit të rrotacionit të pushtetit dhe degjenerimit të jetës politike dhe publike në vënd.

Shitberja e votës përfaqëson pikën më të lartë ku realizohen lidhjet e politikës me krimin. Ka një kërshëri të madhe për të njohur me emër e mbiemër kush janë të shpallurit. Kemi shpresë se Londra do ti denoncojë publikisht . Njoftimi konfidencial për këtë kategori nuk ka efektin e duhur.

Reagimi në mbështetje të sanksioneve britanike, që avancojnë ato amerikane, ka qenë çuditërisht i zbehtë për të mos thënë zero. Qoftë nga qeveria, qoftë nga opozita. Kryeministri Rama është mjaftuar me një referim të veprës së Enver Hoxhës “Rreziku angloamerikan për Shqipërinë” duke dashur të heqë një paralele me Sali Berishën. Si Rama pak a shumë edhe dy -tre socialistë të tjerë . Asnjë fjalë për lidhjet e politikës me krimin dhe shitblerjen e votës. Këto janë mizat që u djegin atyre nën kësulë. Është krimi i tyre zgjedhor.

Lëvizja e Rithemelimit është investuar për hedhjen poshtë dhe denigrimin e shpalljeve britanike, duke përdorur edhe fyerje. Për të mos i dhënë legjitimitet shpalljes së Berishës, ata kanë mbyllur gojën për shitblerjen e votës. Është e kuptueshme në njëfarë mënyre. Çudia mbetet heshtja e deritanishme e Partisë Demokratike zyrtare që i ka në favor dhe pjesë të kauzës së saj të gjitha temat e sanksioneve britanike.

Falënderimin e munguar të elitës politikës e eklipson si dukuri të trishtë mirënjohja e madhe publike dhe qytetare për aktin britanik. Së cilës dëshiroj t’i bashkohem me këto rreshta. Një Britani e Madhe aktive në rajon dhe në Shqipëri është një mbështetje e fortë për demokracinë, shtetin ligjior, sigurinë dhe euroatlantizmin në Shqipëri./Liberale.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: