TIRANË-Lëvizja Socialiste për Integrim e cilëson të pavlefshëm procesin e votimit në Vorë dhe do kërkojë ripërsëritje të votimit. Deklarata u bë nga Zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 Malaj theksoi se ditën e votimeve në Vorë ka pasur persona që kanë ardhur me autobusë dhe nuk dinin ku të votonin. Malaj thekson se të paktën 480 persona me vendbanim fiktiv kanë votuar në Vorë.

“E kanë hedhur votën 480 persona me vendbanim fiktiv në Vorë. Ka fletë votimi që kur janë hapur rezultojnë jo me numrin që ka paraqitur KQZ. Kemi një noter që ka bërë fiktivisht 1600 leje banimi në zonën e Vorës. Nuk jemi për faktin nëse ka fituar apo humbur një kandidat por për standardin që kërkojnë edhe ndërkombëtarët.

Vora u bë epiqendër e debatit. Ditën e votimit kur erdhën edhe ndërkombëtarët ngritën supet dhe nuk dinin çfarë të shkruanin. Kishte njerëz që kishin ardhur me autobusa dhe kishte njerëz që nuk dinin ku të shkonin. Ka pasur presion pafund ndaj qytetarëve. De fakto rezultati është shtrembëruar nëse do hiqnim këta qytetarë që kanë dhënë votën dhe janë fiktivë do ndryshonte rezultati. Ne e quajmë të pavlefshëm këtë rezultat me parregullsitë që janë. Pse jo të ketë një rigarim në Vorë. Në momentin që do konstatohet që faktet që ne japim janë të vërteta bujrum le të riparohet ”- u shpreh Malaj.

Më tej Malaj theksoi se raste fiktiviteti janë denoncuar edhe në Kavajë dhe Durrës dhe se ASHE merr në konsideratë çdo lloj fiktiviteti. “Ne marrim në konsideratë çdo lloj fiktiviteti. Shtabin elektoral në Vore e kemi drejtuar ne. Në rastin e Kavajës nëse do hiqnin listat fiktive diferenca është shumë e madhe. Edhe në Durrës kryeministri tha që nëse diferenca është shumë e vogël situata është për tu ripërsëritur zgjedhjet.”- u shpreh Malaj.

Sa i përket Pogradecit Malaj theksoi se nuk përjashton mundësinë që të ketë fiktivitet si në Vorë. “ Kam përshtypjen se edhe ajo do jetë si historia e Vorës. Faktet e sjella nga Pogradeci do jenë më të trishta se ajo e Vorës.”- u shpreh Malaj.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: