TIRANE – Zyrtarët e drejtësisë italiane kërkojnë ndihmën e autoriteteve shqiptare për sekuestrimin e një varke shpëtimi të tragetit “Norman Atlantic”, e cila pas zjarrit në traget, ka mbetur e bllokuar në grykëderdhjen e lumit Seman, në Fier. Autoritetet italiane besojnë se në këtë varkë ka prova që mund t’i shërbejnë hetimit të nisur tashmë prej tyre. Burime zyrtare nga prokuroria bëjnë të ditur se sot, më datë 09.01.2015, po merren të gjitha masat për ekzekutimin e kësaj letër-porosie nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Fier.
Gjatë një takimi me kryeprokurorin Adriatik Llalla në Tiranë, zv/prokurori i Barit, Ettore Cardinali i shprehu falenderimet prokurorit shqiptar për angazhimin e menjëhershëm të prokurorisë shqiptare në lejimin e sekuestrimit nga ana e autoriteteve italiane të anijes “Norman-Atlantic”, e cila pësoi avari të rëndë në fund të muajit Dhjetor 2014 dhe hyri në ujërat territoriale shqiptare.
Prokurori i Përgjithshëm, Llalla, duke marrë shkas edhe nga komunikimi intensiv ndërmjet dy strukturave hetimore, si ai në rastin e tragetit Norman Atlantic, garantoi zotin Cardinali se prokuroria shqiptare do të vijojë të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me autoritetet italiane për çdo rast hetimi të përbashkët, ku një vend kryesor e zë lufta kundër kriminalitetit që prek të organizuar.lalla me kardinalin
Prokuroria Shqiptare dhe Prokuroria e Barit zhvilluan procedura urgjentë për sekuestrimin e anijes me flamur italian, Norman Atlantic, më të cilën u konstatua avari e rëndë në datën 28.12.2014 në detin Adriatik. Anija, pasi humbi kontrollin, u afrua në ujërat territoriale shqiptare. Në datë 29.12.2014, pra vetëm një ditë pas konstatimit të avarisë, autoritetet gjyqësore të Barit kërkuan sekuestrimin e anijes për qëllime hetimi, në bazë të një kërkesë për ndihmë juridike, dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë.
Në bazë të veprimeve të shpejta, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, kërkesa iu dërgua për veprim Prokurorisë së Vlorës, e cila e paraqiti kërkesën në gjykatë. Në datë 30.12.2014, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Vlorës për lejimin e sekuestrimit të anijes nga ana e autoriteteve italiane. Pas këtyre procedurave ligjore, autoritetet italiane e tërhoqën tragetin “Norman Atlantic” drejt portit të Brindizit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb