Dy punonjës civilë të ushtrisë norvegjeze kanë humbur jetën dhe një tjetër është lënduar nga orteku në një ishull të largët të Oqeanit Arktik, i banuar vetëm nga ushtarë dhe studiues të vendit nordik.

Forcat e Armatosura të Norvegjisë përmes një deklarate thanë se aksidenti ndodhi të shtunën pasdite në ishullin Jan Mayen, 500 kilometra në lindje të Grenlandës dhe 1.000 kilometra në perëndim të Norvegjisë kontinentale.

“Tre punonjës të vendosur në stacionin e Forcave të Armatosura në Jan Mayen ishin në udhëtim gjatë kohës së tyre të lirë kur u goditën nga orteku, pak më larg nga stacioni”, njoftoi ushtria norvegjeze.

Njëri arriti të shpëtojë pasi u mbulua nga dëbora për dy orë dhe u kthye përsëri në bazën ushtarake për të kërkuar ndihmë, thuhet më tej në deklaratë.

Gazeta norvegjeze “VG” tha se viktimat ishin një grua 50 vjeçe dhe një burrë 30 vjeç. Shefi i ushtrisë Eirik Kristoffersen dhe kryeministrja norvegjeze Erna Solberg u shprehën ngushëllime familjarëve të viktimave.

Banorët e vetëm në Jan Mayen, pjesë e Norvegjisë që nga viti 1930, janë stafi i ushtrisë norvegjeze dhe Institutit Norvegjez Meteorologjik. Ishulli është pjesërisht i mbuluar nga akullnajat dhe frekuentohet nga arinjtë polarë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb