Ligjvënësit në Norvegji kanë njoftuar rregulla të reja që do ta bëjnë të detyrueshme për personat ndikues në opinionin publik (influencers) që të ndalojnë photoshop-in, shkruan faqja e internetit buzzfeednews.com.

Ligji i ri është një ndryshim në ligjin e marketingut të vitit 2009 dhe u miratua me një mbështetje unanime nga parlamenti norvegjez.

Është zhvillimi më i fundit pas viteve të mbështetjes nga grupet e të rinjve dhe Ministrisë norvegjeze e Fëmijëve dhe Familjes duke kërkuar masa më të rrepta për të adresuar shqetësimet në rritje në lidhje me imazhin e trupit dhe shëndetin mendor.

Ligji do të kërkojë që reklamat dhe postimet e sponsorizuara ku “forma, madhësia ose lëkura e një trupi është ndryshuar nga retushimi ose manipulime të tjera” të shënohen qartë për të deklaruar se ato janë ndryshuar.

Mosrespektimi i rregullave do të rezultojë me vendosje të gjobave.

Ligji përfshinte buzët e zmadhuara, muskujt e theksuar dhe belin e ngushtë.

“Të rinjtë janë nën një presion të madh për t’u dukur mirë, përveç të tjerash, përmes reklamave dhe mediave sociale, dhe modelet që shfaqen shpesh janë të modifikuara në mënyrë dixhitale. Kjo i ekspozon të rinjtë në një ideal të bukurisë të pamundur për t’u arritur”, thanë deputetët.

Ligji, i cili tashmë ka marrë mbështetje nga disa ndikues të opinionit publik, do të zbatohet në të gjitha platformat kryesore të mediave sociale duke përfshirë Instagram, Snapchat dhe TikTok dhe do të hyjë në fuqi sapo të dekretohet nga monarku norvegjez.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb