Kukësi i dha fund statusit të Tiranës si e pathyeshme me verilindorët i shkaktuan humbjen e parë bardhebluve duke ndezur edhe një herë garën për titull. Festojnë për këtë sukses edhe ekipe si Vllaznia që arrin të ngushtojë hendekun me kreun ndërsa në vend numëro qëndrojnë Teuta e Laçi.

Zhgënjen Partizani me të kuqtë që mbyllën një fazë të parë më negativen që kur janë rikthyer në elitë. Shpëtim Duro, i ftuar në “News24”, në emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba, analizoi këtë fazë, duke përzgjedhur më të mirët por dhe ekipet e lojtarët që e kanë befasuar më shumë:

Tirana – “Dje ishte një pjesë e parë e mirë e Tiranës, shumë kompakte, u tregua naive pas barazimit se edhe ai do ishte një rezultat shumë pozitiv për bardheblutë. Do ishte e pamposhtur dhe do mbante diferencën me Kukësin.

Për Tiranën është fat që është në kampionat në vend të parë, por Kupa për skuadrat që pretendojnë, eliminimi nuk është pozitiv, se kanë dalë nga një aktivitet. Nëse i rrëshqet këmba edhe në kampionat, fillojnë problemet. Pozitiv ishte reagimi i Kukësit, por vazhdon Tirana, pas eliminimit pëson edhe humbjen e parë. Por Tirana e ka skuadrën që të reagojë përsëri.

Ndshja Kukësi-Tirana Nëse do të diskutojmë për ndeshjen e djeshme, është një ndeshje që pjesën e parë Tirana e interpretoi jashtëzakonisht mirë. Kukësi ishte i kujdesshëm në pjesën e dytë.

Goli i shpejtë i prishi pak ekuilibrat e lojës, ishte fat për Kukësin që shënoi se Tirana nuk po qëndronte në situata kompakte, filloi hapësira. Kukësi është skuadër e rrezikshme nëse kundërshtari lë hapësira se ka lojtarë të shpejtë.

Tirana pas barazimit, me ato situata gaboi, u tregua pak naive se duhej të qëndronte në ato situata dhe të priste, të mos hynte në aventurë. Hapësirat janë krijuar shumë në pjesën e dytë, sidomos në krahë të Tiranës. Linja e majtë nuk ka mbuluar mirë dhe ndoshta është për t’u çuditur që është Peposhi ai i cili u aktivizua në pjesën e dytë dhe ishte protagonist i golit të parë.

Pastaj kishte një aksion për të shënuar golin e dytë duke dalë nga thellësia e mbrojtjes, edhe goli i dytë i Kukësit ishte inkursion në të djathtë i këtij futbollisti, krijoi korridor në të djathtë.

Të  gjithë treguesit për këto 9 ndeshje janë për Tiranën, ka pikë, gola më shumë, ka pësuar më pak. Treguesit janë të padiskutueshëm për të, por ajo që shoh është se Tirana nuk është agresive në fazën ofensive, por është shumë më e ekuilibruar se sezonet e kaluara. Kjo është skuadër e lidhur dhe kompake, në pjesën e dytë krijoi hapësira dhe rrezikoi e pësoi. Por të gjithë shifrat flasin për të.

Merkato? Te Tirana filluan ta përmendin Çelhakën në fillim kur kishin probleme, kur filluan fitoret e harruan. Duket se është mjet për të dalë nga situata. Në janar edhe mund të zëvendësosh një apo dy, por nuk jam partizan i janarit për të ndërhyrë shumë , sidomos kur nuk ke nevojë, kjo do shihet në vijim”, tha Duro.

Kukësi? Ajo është skuadër e cila reagoi shumë mirë në ndeshjen ndaj Tiranës se nëse do të kishte rezultat negativ do të kishte probleme, unë kam qenë te Kukësi ndaj e di, por reagoi shumë mirë. Vinte nga një humbje me Skënderbeun, kjo fitore i ka bërë jashtëzakonisht mirë se i ka afruar, është në luftë për titullin se është afër Tiranës.

Ka pasur probleme në mbrojtje, por është shumë e rrezikshme në aspektin sulmues, ka një mesfushë që luan shumë mirë, Gjelbrim Taipi është një ndër lojtarët kyç në manovrën e Kukësit. Ka dy lojtarët e krahut shumë të shpejtë, që të godasin, por patjetër që edhe portieri ka qenë ndër pikat e forta, ka dinamikë, jeton me lojën e skuadrën dhe i ka bërë shumë mirë. Peposhi është meritë e trajnerit që e ka spostuar në krah.

Partizani? Çdo javë diskutojmë do bëjë kthesën, po javën tjetër… Ato përpara nuk janë fitore. Çfarë quan fitore, me Besëlidhjen që është në vend të fundit në kampionat? Nëse ajo është kthesë dakord, por unë e nuk e quaj kthesë. E vetmja fitore ishte me Kastriotin por edhe jo nuk ishte bindëse me lojë, unë shpresoj të bëjë kthesë, por e shoh situatën jo pozitive që Partizani të rikthehet.

E shoh në çdo ndeshje që është po ajo skuadër e lexueshme, kundërshtarët nuk ia kanë më frikën, vijnë për t’i marrë pikë, barazim a fitore dhe nuk është situatë pozitive. Por ajo është skuadër e investuar, ka organikë, por shikoj jo entuziazëm për të reaguar e kthyer situatën në favor.

Partizani është skuadër që nuk ndëshkohet shumë por e rëndësishme është që edhe kur ka shënuar i pari, ka barazuar kundërshtari. Ka pësuar nga një gol por është konvertuar në pikë të humbura. Ky është gabimi i Partizanit, është i lexueshëm se nuk ka rrjedhshmëri shumë. Deri në minutën 70 nuk goditi njëherë portën, pat entuziazëm pas barazimit, por jo se dominoi në lojë, është shumë i lexueshëm në të gjithë aspektet.

Ndoshta ka humbur edhe besimin ndaj është shumë e vështirë për të reaguar. Tani mbaroi gjysma e pjesës së parë, por duhet reagim i fuqishëm që të marrë pikët, ato të japin besim për vazhdimësinë. Është skuadra e ndërtuar me kosto të lartë, pastaj gabimet i ka bërë trajneri a drejtuesit, a u gabua merkato, duhet parë nga klubi jo nga jashtë.

Ekipi më i mirë? Kampionati nuk ka diferenca që të më ketë bërë përshtypje një ekip. Ka patur shumë oshilacione, pat disa momente të mira Kukësi, në mënyrë loje, ka lojtarë që qarkullojë topin. Po ka aspekte në mbrojtje që duhen rregulluar. Por të flasim me shifra është Tirana në të gjithë aspektet.

Përtej Partizanit, më ka zhgënjyer Teuta. Skuadra kampione nuk është skuadra solide e sezonit të kaluar. Laçi ishte në fillim, tani po hyn në garë e të shohim sa do të mbajë. Ka skuadra që duhet të japin më shumë, duhet të kenë më shumë besim në forcat e saj. Një skuadër si Skënderbeu që ka elementë shumë të rëndësishëm në skuadër.

Është një skuadër që nuk ka ndryshuar nga sezoni i kaluar, ka 6-7 futbollistë që mund të luajnë në ekipet më të mira. Skënderbeu ka një nga portierët më të mirë të Superiores, ka Meksin e Zguron që janë ndër më të mirët në lojtarët e krahut në Shqipëri, ka Vitijën e Sadriun që janë të U21, ka dy sulmues të mirë si Berisha e Mensah. Ka një grup e duhet të kenë besim.

Lojtari më i spikatur? Po kryesojnë dhe po shënon, në të gjithë treguesit mund të jetë Seferi. Zhgënjimi? E kam të vështirë ta them një.

Trajneri më i mirë? Nuk quhet asnjëherë trajneri më i mirë, quhet më i suksesshmi i kësaj periudhe. Nuk mund të themi për një që sapo ka filluar karrierën sot është më i miri, por thuhet është i suksesshëm tani. Unë patjetër i vë notën më të lartë Shehit.

Ndërsa po të mos marrim parasysh renditjen, është trajneri i Kukësit se kishte ca futbollistë që mund të ishim skeptikë në fillim, por ka pasur iniciativë që ka afruar të rinj e që u ka ndryshuar pozicionin. Ky është rast i veçantë e duhet ta vlerësojmë, këto janë meritat e trajnerit”, tha Duro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb