Kreu i PDK-së Enver Hoxhaj, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se PDK do të fitojë zgjedhjet në Kosovë, që të kthehet sërish në kohët e veta të arta.

Hoxhaj nënvizoi se PDK-së i duhet mandat i plotë, që të ndryshojë Kosovën.

PDK sot është në qendër të jetës politike në Kosovë. Ne nuk kemi vija të kuqe, në raport me subjektet politike që marrin votën në Kosovë. Kur PDK ka udhëhequr Kosovën, ne kemi pasur rezultate konkrete. Dua të kthej kohën e artë kur udhëhiqte PDK.

Ne nuk bëhemi zgjatje e asnjë partie të papërgjegjshme. Ne na duhet mandati i plotë, për të ndryshuar vendin. Jemi të vetëdijshëm që ka pasur edhe gabime, por unë garantoj qytetarët e Kosovës se do punojmë maksimalisht për të mirën e tyre”, tha Hoxhaj.

Enver Hoxhaj theksoi se PDK do të zhbëjë kërcënimet e brendshme dhe të jashtme për Kosovën.

Posti i kryeministrit është me rëndësi për PDK-në në këtë moment. Kosova ka nevojë që të ketë aleancë politike me qytetarët, me vullnetin më të mirë, që të ndalojmë frymën populiste që është në vend.

Kosova po kërcënohet edhe nga jashtë, nga kundërshtarët e Republikës sonë. PDK mund të zhbëjë kërcënimet. Ne duam që të shpëtojmë Kosovën nga mashtrimi dhe manipulimi. Ata që premtuan se do zgjidhin çështjen e pandemisë, e lanë vendin edhe më keq”, u shpreh Hoxhaj.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb