I ftuar special nëpërmjet një lidhje live për emisionin “EUROMANIA”, të moderatores, Enxhi Biba, në televizionin “News 24”, ishte drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, i cili bëri një analizë me ecurinë e deri tanishme të skuadrave në Europian, teksa u ndal te Kroacia.

“Kroacia për mua nuk është ekip favorit, por një ekip që duhet të konsolidohet. Ndërrimi i gjeneratës gjithmonë krijon problemet. Për mua Kroacia ka një nga mesfushat më të mira në botë, ka lojtarë që gjithmonë fitojnë trofe. Këtë vit po has vështirësi në kalimin e grupit. Ndeshja e parë kundër Anglisë, ishte shumë e vështirë, Anglia fitoi me meritë. Në pjesën e parë ndaj Çekisë, pjesën e parë luajti dobët, ndërsa në pjesën e dytë ishte shumë mirë. Nëse ndaj Skocisë, luan si në pjesën e dytë ndaj Çekisë do të jetë favoritë.

Me gjak jam kroat, me shtetësi shqiptar. Gjaku nuk bëhet ujë. Tani është një periudhë shumë e vështirë për mua. Udhëtoj me makinë çdo ditë nga 8 orë, në çdo qytet për të parë çfarë është më e mira për Vllazinën. Ndeshjet në orën 9 i shikoj thuajse gjithmonë.

Pika më e fortë e Kroacisë është padyshim mesfusha. Kovaçi, Modriç, Brozoviç, Perisiç, Lovren, të gjithë këta janë kampionë. Kemi probleme me fazën e sulmit dhe mbrojtjen. Mendoj që faza e mbrojtjes është pjesa më e dobët e Kroacisë.

Në sulm nuk kanë gjetur një sulmues të zëvendësojnë Manxukiçin. Kemi një lojtar si Petkoviç, por nuk është në nivelet e Manxukiç. Edhe lojtarë të nivelit të Rakitiç nuk ka më. Është vështirë, por unë mendoj që me një rezultat pozitiv sot, Kroaci kalon grupin dhe është një rezultat shumë i mirë, për një shtet me 3.8 milionë banorë si Kroacia.

Më vjen keq për klubin tim Rijeka, por deri sa të ekzistojë Dinamo Zagrebi, Kroacia gjithmonë do të ketë talente. Sot te kombëtarja ka 11 lojtarë nga Dinamo e Zagrebit. Punojnë 30 skautë për këtë klub. Edhe ekipi U-21 dhe U-19 ka dalë në finalet e Europianit. Jam i sigurt që në të ardhmen do vijnë lojtarë të talentur.  Nuk kam komunikuar me asnjë nga futbollistët e Kroacisë. Nuk kam kohë.

Me gjithë respektin për Gjermaninë unë mendoj që Franca është favorite. Unë bëj tifo për Kroacinë, por nga ana teknike dhe njohuritë që kam nga futbolli, shikoj Francën, Belgjikën dhe Anglinë si favoritë, por edhe Italia ka surprizuar.

Vlera e Anglisë është 1.3 bilionë euro. 200 milionë euro më shumë se vlera e Francës. Vijnë nga kampionati më i pasur, por nuk e shoh Anglinë si pretendenten kryesore.

Është bukur të shikosh Italinë me një stil sulmues. Për mua Seria A është një nga kampionatet më të bukura në botë.

Edhe Belgjika ka një brez shumë të mirë, në qoftë se nuk bën këtë vit ndonjë gjë, nuk e di kur mund të vijë më ky brez. Shpresoj që Kroacia sot të fitojë 3-0, por ka një detaj interesant, Kroacia nuk ka fituar asnjëherë ndaj Skocisë”, – u shpreh Djarmati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb