Kuvendi i Shqipërisë vijon aktivitetin dhe vendimmarrjen përmes komunikimit online. Komisionet kryesore në Kuvend rrëzuan dje dy dekrete për kthim ligjesh të Presidentit, ai i njohur si ligji KÇK dhe ai për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Duke qenë nisma politike të qeverisë ishte e pritshme që Kuvendi me mazhorancën absolute që ka të votonte kundër, pavarësisht nëse Kuvendi punon rregullit apo në situatë të jashtëzakonshme. Vendimmarrjet në parlament kanë detyrimin ligjor e kushtetues të respektojnë praktikat e mira parlamentare dhe të jenë transparente.

Shqetësimi i ngritur javën e kaluar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) mbi parregullsitë që mund të krijohen nga punimet online dhe apeli që Kuvendi të zhvillojë punime live të verifikueshme për cilindo që ka interes në monitorimin e ndjekjen e tyre, fatkeqësisht rezultoi se nuk është marrë në konsideratë nga Kuvendi.

Ndaj, edhe në raportimet e djeshme në mediat televizive asnjë prej tyre nuk kishte pamje filmike ilustruese, një tregues se media nuk ka pasur aksesin e nevojshëm për verifikimin e mbledhjeve, debateve dhe vendimmarrjes, edhe në raste të tilla me rëndësi, siç ishin rrëzimi i dy dekreteve për ligjet e mësipërme, për të cilat shoqëria civile vazhdimisht ka ngritur shqetësime.

Praktika e punës online e Kuvendit është një situatë e imponuar, por në Shqipëri nuk ka përvojë dhe në një vend ku standardet e transparencës janë minimale, kjo praktikë mund të ndikojë në thellim të cenimit edhe më tej të këtyre standardeve. ISP po ju paraqet sot një ilustrim nga mbledhja e parafundit e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, komisioni më i rëndësishëm në procedurën parlamentare. Siç shihet, vetëm në një faqe ka 12 raste kur fjalitë & fjalët e relatorit të ligjit mungojnë, nuk dëgjohen ose nuk kuptohen. Ky është një dokument zyrtar dhe nëse praktika të tilla vijojnë në këtë formë, dokumenti humbet vlerën e të qenit zyrtar, aktet e miratuara humbasin vlerën e praktikës ligjore dhe vetë Kuvendi humbet shumë në besueshmërinë e punimeve dhe të produkteve ligjore të tij.

ISP, si organizatë monitoruese për aktivitetin parlamentar, për nxjerrjen e akteve ligjore dhe për respektimin e Kodit të Etikës në Kuvend, uron që ky të jetë rast i izoluar dhe që alibitë mbi çështjet teknike të mos kthehen në kosto për transparencën dhe detyrimet ligjore të Kuvendit. Gjithashtu ISP apelon Kuvendin që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar transparencë mbi mbledhjet, debatet, aktet dhe gjithë elementët e tjerë të vendimmarrjes parlamentare në komisione dhe në seancën e ardhshme plenare. Kjo është minimumi i standardeve që një parlament duhet të përmbushë.

Instituti i Studimeve Politike (ISP)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: