Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Roland Bejko ka deklaruar në studion e emisionit “Open” se nuk kërkon që “t’i prishë punë” dikujt në votime, por të marrë votat e tij.

Bejko deklaroi se ‘target-grupi’ që ai synon janë votat kundër Berishës, Ramës, Metës dhe Veliajt, grup i cili sipas tij është i konsiderueshëm, ndërsa shtoi se pa kandidaturën e tij në fletën e votimeve do kishte vetëm përfaqësim të “flamujve të majtë”.

Sakaq, ai komentoi mbi rezultatet e mundshme të zgjedhjeve, ndërsa tha se nëse ai apo dikur kolegu dhe tanimë kundërshtari Belind Këlliçi humbasin në garën për Tiranën, faji do jetë i “kryeneçësisë së Berishës”, i cili sipas Bejkos duhet të bashkonte partinë kur pati mundësinë.

“Kushdo nga ne që nuk meriton të zgjidhet me votë, le të shkojë në shtëpi nga unë i pari. Unë jam fokusuar te votat e mia. Unë jam futur të marr votën që është kundër Ramës, kundër Berishës, kundër Metës dhe kundër Veliajt. Nuk dëmtoj asnjë, unë do marr votat e mia.

Nëse nuk do isha në garë për zgjedhjet lokale, gjithë kandidatët e tjerë janë të majtë që përfaqësojnë flamuj të majtë. Kemi komunistët e Arlind Qorit, socialdemorkatët e Metës dhe të Shabanit. Kemi Këlliçin që në ligjërim është me teza të majta dhe përfaqëson një parti të majtë. Është në siglën e PL-së, një parti e majtë. Le të merrte logon e partisë së vetë, pse i vinte turp. Unë nuk i vë faj Belindit. Kush tentoi në mbledhjen e këshillit Kombëtar le t’i thoshin, doktor apo zotëri që nëse nuk futemi nën logo do jemi kundërshtarë të PD-së.

Nuk kam komente për Belindin, ne ndajmë të njëtjat ide. Vjen një ditë dikush në parti sepse iu prek interesi personal dhe e ndan copash. Unë nuk besoj se Belindi bëhet i majtë, pavarësisht se mund të ndikojë sepse është në koalicion. Me Belindin do na ndajë vizioni në këtë fushatë. Uroj që Belindi nëse e ka të mundur të fitojë. Ka ndodhur në Perëndim kur kanë konkurruar dy kandidatë nga e njëjta forcë politike. Votat anti-berishtiste nuk i shkojnë Belindit sepse shkoi te ai. Vota anti-Berishë dhe anti-Ramë e Veliaj ku do shkojnë? Ka një target grup shumë të madh sipas sondazheve që nuk e ka shprehur vullnetin për të votuar asnjë palë.

Unë kam fokusuar këtë target grup votash dhe jam fokusuar vetëm aty, nuk kam dalë të dëmtoj Belindin, por të jap kontribut për të rrëzuar Veliajn dhe shpresoj se do e rrëzoj. E vetmja gjë që them është se jemi akuzuar si pengje të Ramës. Komandanti këtej mohon hallin e kandidatëve dhe bën sikur nuk ekziston. Ka një përqindje të madhe që të prish punë. Nëse del humbës Këlliçi apo unë, kush do mbajë përgjegjësinë për mos bashkimin? Kush i shërben Ramës pas kësaj, kryeneçësia e Berishës, kjo rrugë i shërben këtij qëllimi”, tha ai ndër të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb