Rikthimi tek foshnja vetëm pak dhiteshe nga e cila e larguan për ta futur në qelitë e burgut ka gëzuar pa masë nënën 25-vjeçare Diana Bahçja.

Ajo tregon se përjetoi momente shumë të vështira në burg, larg të birit në kushtet kur kishte vetëm 8 dite që e kishte sjellë në jetë.

E ngarkuar emocionalisht pas arrestimit, por e lumtur që tashmë kujdeset vetë për të voglin e saj Diana tregon se askush nuk mori në konsideratë gjendjen në të cilën ajo ishte.

“Për mua ishte shumë e vështirë nuk e përballoja dot. Me zor kam ndenjur duke qarë ditë e natë. Nuk donin t’ia dinin që spo kisha lindur kur me arrestuan. Kam ndenjur 3-4 në Shkodër pastaj më mori policia e Tiranës”, tha ajo.

Diana tregon se arrestimi ishte i papritur dhe i befasishëm pasi nuk ka qenë në dijeni për dënimin e dhënë ndaj saj, me akuzën për braktisje të fëmijës së parë.

Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike 25-vjeçarja tregon se gjatë ditëve që ka qëndruar në burg nuk u shoqërua me asnjë nga gratë e tjera në qeli.

“Nuk kam qenë në dijeni as për gjobën as për dënimin. Në burg kam ndenjur vetëm nuk kam pasur lidhje me gratë e tjera”, rrëfeu Diana.

Diana Bahçja u arrestua nga policia e Shkodrës më 7 mars pasi gjykata e Tiranës i kishte vendosur një gjobë prej 250 mije lekësh në vitin 2020 që ia konvertoi pas tre vitesh në dënim me 50 ditë burg. Arrestimi në kushtet në të cilën ndodhej 25-vjeçarja tronditi gjithkënd pasi ishte totalisht në shkelje të ligjit, ndaj dhe Gjykata e pezulloi vendimin duke e liruar dhe ne 14 prill do të vendosë në lidhje me gjobën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb