TIRANË

Të ftuarit në emisionin “Real Story” në News 24 kanë diskutuar për çështjet aktuale të politikës, përfshirë edhe raportin e Komisionit të Venecias, raport ky, i cili doli në përfundimin se  “Presidenti me shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit tejkaloi kompetencat kushtetuese, por nuk përbën shkas për shkarkimin e tij”.

Ministrja për Marrdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali theksoi se Kreu i Shtetit, Ilir Meta nuk përfaqëson sot interesin e të gjithë shqiptarëve. Ajo u ndal edhe  tek djegia e mandateve parlamentare nga opozita, ndërsa theksoi se truri i kësaj ideje ka qenë ish-kryeministri, Sali Berisha. Sipas Spiropalit, maxhoranca nuk ka ndërmend të ndajë pushtet me opozitën.

“Këtë vendim (djegien e mandateve) Sali Berisha e ka bërë në koordinim të plotë me Presidentin. Lulzim Basha është dukshëm  në një pozicion të vështirë. Shkurt: këta të dy kanë marrë vendimin për ta bërë lëmsh vendin. Basha është në pozicionin që nuk merr dot drejtim se nga të shkojë. Reforma në drejtësi i ka trembur kastat politike dhe ne nuk e kemi ndërmend të tërhiqemi. Nuk kemi ndërmend për të bërë hapa pas, sepse do të ishte hapa pas për vendin. Nuk do ta bëjmë  kthimin pas, por do të shkojmë për të bërë ato ndryshime dhe të krijojmë vendin edhe për opozitën jashtëparlamentare dhe mos të ngrihen nga tavolina e reformës zgjedhore. Tani 2021 është afër. Të vijnë në  tryezë, sepse nuk kemi ndërmend të ndajmë pushtet e tava me ta. Ilir Meta nuk i përfaqëson të gjithë shqiptarët”-theksoi Spiropali.

Nga ana tjetër, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume u pyet nga Sokol Balla nëse  duhet shkarkuar presidenti Meta apo jo, ai dha këtë përgjigje: “Këtë nuk e ka thënë as Venecia, jo më t them unë. Çështja është se çfarë do të nxjerrin nga e gjithë kjo dhe na duhet domosdo të ndërtojmë rregulla për të ulur në karrige përfaqësuesit e njerëzve. Dy të mëdhenjtë të fillojnë urgjentisht nga puna për të bërë mirë atë që nuk e kemi bërë mirë”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb