Gjykata e Posaçme ka vendosur sot të lërë në ‘arrest shtëpie’ ish-zëvendës ministren e Brendshme Rovena Voda si dhe 32-vjeçaren Florida Beu, nënë e tre fëmijëve që kërkonte të punësohej dhe avokaten Majlinda Hasani. Beut i është komunikuar masa e sigurisë në spital, ku ndodhet për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndërkohë “BalkanWeb” zbardh dosjen e prokurorisë dhe përgjimet e bisedave të zhvilluara mes zv.ministres në vitin 2020 dhe dy grave të tjera të akuzuara.
Në kuadër të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.49 viti 2019 është autorizuar kryerja e përgjimeve telefonike dhe ambientale, si dhe është autorizuar kryerja e vëzhgimeve për disa persona nga të cilët mund të përftoheshin të dhëna apo prova me rëndësi për rrethanat e hetimit.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Florida Beu ka zhvilluar disa komunikime me shtetasen Malinda Hasani, e cila është avokate në Durrës.
Më 13 shkurt 2020 të dyja janë takuar me shtetasen Rovena Voda, në atë kohë zëvendës ministre e Brendshme. Sipas bisedave të kryera del se shtetasja Florida Beu i ka kërkuar zëvendës ministres së Brendshme që ta favorizonte për të gjetur ndonjë vend pune. Qëllimi i Florida Beut ka qenë që të punësohej në Ministri.
Hasani i ka kërkuar zëvendës ministres një vend të mirë pune për Floridën. Voda i ka thënë se shefe unë direk nuk e fus dot, por i ka thënë se do e rregullonte si specialiste. Sipas bisedave Voda ka telefonuar një person që punon në Departamentin e Administratës Publike, e cila e dinte se ku ka vende pune në Ministri.
Në bisedë Florida Beu është shprehur se i duhen “para” dhe se duhet që të paguajë. Ajo i ka kërkuar një personi tjetër që t’i japë një shumë prej 1000 euro e cila i duhej për të paguar Rovenën dhe personin tjetër që punonte në DAP.

Nga bisedat e kryera midis shtetasve Florida Beu dhe Majlinda Hasani rezulton se në datën 25 shkurt 2020 ato janë takuar sërish me shtetasen Rovena Voda ku kanë biseduar për punësimin e Floridës. Sipas bisedave të kryera del se në këtë takim shtetasja Florida Beu i ka dhënë zëvendës ministres shumën prej 1000 euro, me qëllim favorizimin e saj për të gjetur vendin e punës.

Pas takimit shtetasja Florida Beu i ka dhënë shtetases Majlinda Hasani se “më ngeli mendja mos donte më shumë…që të paktën të na vej në një vend tamam”. Sipas bisedave shtetasja Rovena Voda e ka marrë shumën monetare në takimin e mësipërm, të vendosura në një zarf të cilin ajo e ka futur në çantën e saj që kishte me vete.
Më 26 shkurt 2020, Florida Beu dhe Majlinda Hasani kanë biseduar me njëra-tjetrën duke thënë se tashmë Rovena përgjigjet menjëherë në telefon, ndërsa më parë përgjigjej pas dy-tre ditësh, se kanë bërë mirë që kanë kryer veprimin e mësipërm, se duhet ta kishin bërë më përpara, se “leku e hedh ujin përpjetë”. Florida Beu ka shpjeguar se ajo paska dashur “dy” dhe jo “një”.

Në datën 27 shkurt 2020 Florida Beu dhe Majlinda Hasani bisedojnë sërish dhe bien dakord që t’i thonë Vodës se “nuk do ta lejmë me kaq”, se do t’i japin edhe një aparat telefoni celular si dhe përfitime të tjera.

Më 28 shkurt 2020 Florida Beu dhe Majlinda Hasani janë takuar sërish me zëvendës ministren në institucionin e Ministrisë së Brendshme, konfirmuar ky fakt nga proces verbali i vëzhgimit të kryer, si dhe më këqyrjen e dokumentit “libri i hyrjes dhe daljes për qytetarët në institucion”. Takimi është zhvilluar në intervalin kohor 15:50-17:19.

Pas takimit të mësipërm të realizuar me zv.ministren Voda nën hetim, të hetuarat Florida Beu dhe Majlinda Hasani bisedojnë me njëra-tjetrën për përgatitjen e dokumenteve të nevojshme për punësimin, për kryerjen e aplikimit përkatës.
Kanë biseduar se aplikimi do të bëhej për pozicionin “specialist” në Ministrinë e Brendshme, në Ministrinë e Drejtësisë, në Ministrinë e Financave. Florida Beu shpjegon se do të blinte edhe aparatin e telefonit celular të markës Samsung, se do i çonte edhe disa përfitime të tjera. Sipas bisedës Rovena i ka thënë që t’ia çonte aparatin e telefonit celular dhe se nuk e donte iPhone.

Më 2 mars 2020 Florida Beu së bashku me Majlinda Hasanin kanë bërë aplikimin për punësim. Nga dokumentacioni i administruar rezulton se Florida Beu ka aplikuar për 11 vende vakante në pozicionin e “specialistit” në disa institucione të ndryshme, në Ministrinë e Drejtësisë, në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe në dy vende vakante në Ministrinë e Brendshme.
Nga të dhënat e përftuara nga vëzhgimet e kryera rezulton se në datën 6 mars 2020 rreth orës 15:50, Florida Beu ka shkuar në një dyqan telefonash celularë dhe ka blerë një aparat telefoni celular. Sipas bisedave telefonike rezulton se ka blerë një aparat telefoni të ri, të markës “Samsung” që kishte vlerën mbi 600 euro, por që e kishte blerë me ulje në shumën 550 euro.

Në datën 6 mars 2020, rreth orës 17:16, Florida Beu dhe Majlinda Hasani janë takuar me Vodën në një lokal në Durrës. Prokuroria ka administruar pamjet filmike dhe është bërë këqyrja e tyre, nga ku rezulton se takimi është zhvilluar në intervalin kohor 17:16-17:39. Në këtë takim Majlinda Hasani nxjerr një kuti nga çanta e Florida Beut dhe ia jep shtetases Rovena Voda.
Hasani nxjerr nga kutia një aparat telefoni celular dhe ia tregon shtetases Rovena Voda, e cila e merr në dorë dhe e shikon për disa sekonda.
Më pas shtetasja Majlinda Hasani e fut përsëri në kuti aparatin e telefonit celular dhe e vendos kutinë mbi tavolinë. Në përfundim të takimit Voda e merr kutinë së bashku me aparatin e telefonit celular, e fut në çantën e saj personale dhe largohet nga tavolina.

Pasi dalin nga lokali Florida Beu dhe Majlinda Hasani së bashku me Vodën hipin në automjetin “Toyota” me targa MB276AA që përdorej nga Voda e që drejtohej nga shoferi i saj. Automjeti më pas ka hyrë në orën 17:47 brenda në territorin e portit në Durrës dhe ka dalë prej andej në orën 17:48. Sipas përgjimeve të kryera personat e mësipërm kanë shkuar për të marrë në automjet një arkë me peshk që ia ka dhënë po Florida Beu, (nga të dhënat e përftuara nga përgjimet Florida Beu pohon se familja e saj ka anije peshkimi). Në përfundim të këtyre veprimeve Florida Beu është shprehur se është treguar korrekte me Rovenën.
Në vijim Hasani ka vijuar komunikimet me Vodën lidhur me ecurinë e procedurës së Beut. Nga bisedat e kryera ka rezultuar se procedurat e punësimit janë bllokuar përkohësisht si rezultat i situatës së krijuar për shkak të pandemisë së virusit COVID-19.

Në kuadër të hetimeve janë kryer hetime në lidhje me ecurinë e mëtejshme të procedurës së aplikimit të Florida Beut në DAP. Nga dokumentacioni i administruar rezulton se Beu ka aplikuar për 11 vende vakante në pozicionin e specialistit në disa institucione të ndryshme, në Ministrinë e Drejtësisë, në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe në dy vende vakante në Ministrinë e Brendshme.

Nga të dhënat e përftuara nga administrimi i dokumentacionit përkatës rezulton se dy procedurat e konkurrimit dhe të pranimit në shërbimin civil në pozicionin specialist në Ministrinë e Brendshme janë zhvilluar dhe në përfundim të procedurave janë shpallur fitues dhe janë emëruar dy persona të tjerë. Po kështu, edhe në procedurat e tjera që ka aplikuar Beu janë shpallur fitues persona të tjerë. Në të gjitha këto procedura konkurrimi/pranimi në shërbimin civil, Beu nuk është kualifikuar në asnjë prej këtyre procedurave, për shkak të mosplotësimit të kritereve të posaçme të përcaktuara në shpalljet përkatëse të vendeve vakante. Beu është skualifikuar që në fazën e parë të procedurave dhe nuk ka marrë pjesë në ndonjë rast në fazën e dytë të procedurave, atë të konkurrimit, të testimit me shkrim dhe të intervistës së strukturuar me gojë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb