TIRANË

Detaje të reja për arrestimin e 52-vjeçarit Xherxh (Gjergj) Laçi në Tiranë, i akuzuar për dhunë ndaj familjes së tij, të cilën e mbante të ngujuar prej 6 vitesh.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se autori ka jetuar disa kohë në Itali dhe është rikthyer më pas në Tiranë, ku jetonte në gjendje të mjerueshme me dy djemtë 15 dhe 17 vjeç, të cilët kishin kryer vetëm shkollën 9-vjeçare. Sipas hetimeve, dy fëmijët prej një viti nuk kanë dalë fare nga shtëpia, ndërsa gruaja kishte 6 vite që rrinte e mbyllur.

Ushqimet për të mbajtur frymën gjallë, i merrnin nga familja e 52-vjeçarit dhe vëllai i gruas.

“Ju nuk mund të dilni jashtë se mund të infektoheni”, kanë qenë fjalët e 52-vjeçarit drejtuar gruas dhe dy djemve, të cilët i ka kërcënuar me jetë me armë të ftohta dhe nën terror psikologjik.

Shtëpia në fund të rrugës “5 Maji” ku banonin nuk kishte as drita, as ujë dhe as televizor dhe dritaret ishin të mbyllura, ku as drita nuk hynte.

DENONCIMI
Sipas dëshmitarëve Laçi dilte vetëm për faljen e xhumasë (të premtes), por prej 6 muajsh nuk dilte më as vetë nga banesa.

Antiterrori ka pasur informacion se kishte prirje radikale, pro më pas pasi djemtë nuk dilnin më, banorët kanë lajmëruar policinë.

52-vjeçari është arrestuar, ndërsa gruaja dhe fëmijët janë dërguar në një qendër për rehabilitim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb