TIRANË- Familja e minorenes nga fshati Velçan i Pogradecit këmbëngul që familja e Ligor Bibës që i përdhunoi të bijën 15-vjeçare po i kërcënon. Nëna e vajzës deklaroi në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 se ata nuk i lënë rehat dhe se i kanë shkuar disa herë tek shtëpia.

Madje sipas saj, njerëzit e 55-vjeçari i kanë rrahur burrin dy herë dhe i kanë shkuar natën vajzës duke e kërcënuar të tërheqë denoncimin për përdhunim. Ajo tha se nëse i shkojnë prapë ose do i vrasë ose do ta vrasin.

“Burrin ma kanë rrahur dy herë njerëzit e Ligorit. Mi kanë ardhur në orën 1 të natës tek dritarja çupës. Nëse vijnë prapë në shtëpi o do më vrasin o do i vras. Ta bënte me gruan e tij jo me çupën time. Na vinte nga pas”, tha nëna, raporton “BalkanWeb”.

Ajo tregon se e ka hequr vajzën nga shkolla pikërisht për shkak të kërcënimeve se ka frikë se ia vrasin. “Ndaj nuk e çoj çupën në shkollë. Nuk e kam lopë ta marr e ta hedh atje”, tha nëna e minorenes.

Nga ana tjetër, shefi i komisariatit të Pogradecit, Nikollaq Palla mohoi të ketë pasur kërcënime. Ai tha se familja e të akuzuarit ka ofruar para për të marrë faljen, ose tërhequr denoncimin por se ndjekja penale dhe gjykimi do vijojë pavarësisht kësaj.

“Nuk na ka rezultuar që ka pasur kërcënime. Për pjesën që është ofruar vlera monetare për të tërhequr denoncimin na është thënë nga familjarët e të dëmtuarës për të bërë një falje. Kjo nuk mbyllet nga ligji. Vajza mund të vazhdojë shkollën normalisht. Për shqetësimin më të vogël do jemi tek ajo familje. Kemi kontakte të vazhdueshme, me kryeplakun dhe burime të tjera. Në qoftë se ato kanë probleme të na telefonojnë, nuk presim të denoncojmë. Ne jemi që fëmija të mos e ndiejë traumën dhe të vazhdojë jetën normale”, tha shefi i Komisariatit të Pogradecit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb