Qytetarë të shumtë të Prishtinës kanë dalë në ballkonet e tyre për të protestuar. Jo për koronavirusin, as për të përshëndetur mjekët por në shenjë revolte ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend.

Revolta e tyre duke bërë zhurmë në ballkone, nga ora 20:00 për 5 minuta kishte synim që sado pak të ndikojë tek liderët politikë, pasi tashmë dihet dhe gjendja jo e mirë për shkak të pandemisë, Covid-19.

“Sot, qytetarët e Kosovës në kohë pandmie po përballemi me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës. Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Sipas tyre, revolta dhe protestimi prej ballkonit ka një simbolikë të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës.
“Gjatë viteve ’90, qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe”, thuhet me tej.

Pas vendimit të kryeministrit Albin Kurtit, i cili shkarkoi nga detyra e ministrit të Brendshëm Agim Veliun, i cili është nga radhët e LDK-së, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti. E tërë kjo situatë po ndodh në kohën kur Kosova dhe bota po përballet me virusin e rrezikshëm Covid-19.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb