Violinisti Olen Çezari ka treguar për herë të parë misterin e violinës së tij. I ftuar në “Vila24” pak para koncertit të tij, në një intervistë me moderatoren Brunilda Lahe, Çezari tha se atë instrument do mbajë gjithmonë. Lidhja kaq e fortë më këtë violinë është krijuar pasi e ka parë në Stamboll dhe miqtë e tij e kanë kuptuar se i pëlqente dhe të gjithë bashkë kanë mbledhur para për t’ia bërë dhuratë për ditëlindje.

“Ajo mbart miqtë e mi kudo që shkoj…”-thotë ai me shumë modesti. I pyetur për thjeshtësinë e përshtatjes dhe daljes në shumë intervista, Çezari iu përgjigj duke thënë se kjo vjen si pjesë e karakterit të tij dhe sjell në kujtesë një “leksion jete” nga këngëtari Lucio Dalla, ku të dy pas një koncerti gjigant, kishin luajtur muzikë në një klub të thjeshtë, (sgrëq siç e quan ai) i habitur për zgjedhjen e artistit të madh, Çezari kishte marrë këtë logjikë prej tij: “Shkojmë nga yjet në stalla që të mësojmë të ringrihemi!” Sa i përket interesit për t’u kthyer në Shqipëri, ai tha se mezi pret, e shton se italianët shesin mend me Olenin italian, por ai është Oleni nga Durrësi e mezi pret në vijë këtu. Më tej thotë se në këtë koncert kishte planifikuar të interpretonte bashkë me nënën e cila është mësuesja e tij e violinës, por ajo ka patur një incident dhe e ka të pamundur të ngjitet me të në skenë. Koncerti mbahet në datat 5 e 6 maj në Pallatin e Kongreseve, ku Olen Çezari dhe grupi i tij, “International Clandestine Orchestra” do kenë të ftuar të veçantë nga Argjentina, ndërsa për repertorin thotë se ka më shumë se 100 pjesë, por ata preferojnë të luajnë spontanisht. “Çdo numër është një spektakël më vete”- siguron Çezari, ndërsa gjen mundësinë të bëjë batutë për gjyshen e tij të dashur e cila nuk e linka të dalë në koncerte pa i vënë një hudhër me vete në xhep.

“Është psikologjike, gjyshja e ka fiksim”-thotë ai, ndërsa nxiton për të shkuar në prova. Olen Çezari njihet nga publiku si violinisti që u bë shumë i famshëm në Itali, ndërsa ai është kujdesur që të përhapë artin në të gjithë botën, nismë e cila është vlerësuar edhe nga presidenti, ndërsa emri i grupit “International Clandestine Orchestra”, lidhet me emigracionin, një problem që e kanë vuajtur të gjithë, madje deri në palcë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb