Shpëtim Duro ishte i ftuari i ditës në studion e ”Sport News”, moderuar nga Enxhi Biba, për të diskutuar rreth javës së këtij kampionati e sidomos pragndeshjes derbi mes Tiranës dhe  Partizanit, ku ai është një ekspert i mirëfilltë pasi nuk ka humbur asnjë të tillë si trajner.

Tekniku ka analizuar ndeshjet e javës, duke u ndalur fillimisht te paraqitjet e Tiranës dhe Partizanit, duke mos kursyer kritikat për këtë të fundit, ashtu si edhe për Laçin që ndryshoi trajner pasi doli plotësisht nga identiteti që kishte krijuar në edicionin e kaluar.

“Tirana ka lojtarë të mirë, sidomos te mesi i fushës, me Limajn e Totren. Limaj dihet se ka qenë me Kukësin dy vite. Ndërsa Totre e njoh shumë mirë se e kam aktivizuar 19 vjeç te Shkëndija dhe ka qenë futbollist i mirë më atë superskuadër, që u fut në lojë dhe ishte shumë cilësor.

Por problemi është mungesa e lojës, nuk a luajtur për disa muaj për probleme të tijat, nëse do të vijë mirë, do të jetë ndihmë e madhe për skuadrën e Tiranës.

Deklarata e Halilit? Që thotë për titull është herët jam dakord. Por që është skuadra më e mirë këtë do e shohim në vazhdim. Mos harrojmë që pjesë e kësaj skuadre ka qenë 80% edhe vjet që nuk kapi as objektivin minimal, Kupat e Europës.

Vlen për t’u parë që këtë javë se nëse humb do të shohim deklaratë tjetër pas ndeshjes. Është herët për të gjykuar, por Tirana padyshim është skuadër për emër e pretendimet, si janë vetë edhe objektivat e klubit.

Barazimi mes Partizanit e Kukësit? Janë dy skuadra të forta, dhe barazimi sigurisht është i pranueshëm. Më tepër për Kukësin se për Partizanin nuk kishte alternativë përveç fitores për gabimet në ndeshjet e tjera. Në pamje të parë barazimi është i pranueshëm, por duke pasur parasysh problemet e ndeshjeve të para duhej fitorja patjetër. Sa i përket ndeshjes, kam mendimin që Partizani ndryshoi strategji nga ndeshjet e tjera, nuk ishte skuadër që dominonte në fushë, pavarësisht problemit të shënimit të golave, ishte Kukësi që gjatë 90 minutave ka qenë skuadra që ka dominuar në fushë dhe mund të them me bindje se për Kukësin ka qenë ndeshja më e mirë e këtyre 5 javëve.

E kemi diskutuar edhe javë të tjera që ka luajtur pjesë të mira, por ka patur disekuilibër mes sulmit e mbrojtjes. Në këtë ndeshje kishte më shumë autoritet, në mbrojtje dhe në ndërtimin e fazës sulmuese, lojtarët e mesfushës, në veçanti Taipi, kapiteni, ka bërë superndeshje, ka qenë organizatori i të gjithë aksioneve të Kukësit. Kjo mund të fitohej nga të dyja por barazimi kam mendimin që është i drejtë”, tha fillimisht Duro.

Situata e Partizanit? Është fillimi i kampionatit. Është shqetësuese se është me pikatore të gjesh kampionate me 5 ndeshje pa fituar. Por është fillimi, se nëse fiton derbin ndryshon situata, por ajo që shqetëson është se është skuadër që ka shënuar shumë pak, por rregullisht edhe ndëshkohet nga kundërshtari, Sidomos me Skënderbeun e Kukësin, sa ka shënuar është ndëshkua.

Është një skuadër me stol, kam bindjen time personale që është një ndër skuadrat më të kompletuara. Të shohësh stol që ka futbollistë si Marku, e shumë të tjerë, Murataj që ka qenë në formacion e shumë futbollistë, është të huaj, është akoma më shumë. Kaçe që është një investim jashtëzakonisht serioz nga drejtuesit e klubit. Në këtë aspekt Partizani deri në këto momente nuk ka arritur aty ku duhet të shkojë, është fillimi dhe shpresjmë që Partizani të bëjë kthesën.

Foto e Dostit dhe kthimi te Partizani? Nuk i referohem rrjeteve sociale se aty komentojnë të gjithë dhe kanë të drejtën e tyre. Unë e vlerësoj mendimin e Dostit por nuk ka asgjë. Në kuadrin e dëshirave mund të ketë shumë por nuk ka asnjë lloj realiteti për këtë moment. Nuk është e çuditshme se ndërrimi i trajnerëve vazhdon, edhe në Serinë A kanë ikur tre.

Çdo trajner qëndron në punë në bazë të rezultateve, ka edhe te ne si unë që mund të largohen për arsye nga më të ndryshmet. Partizani me derbin me Tiranën është një moment që ose të kthehet qetësia, ose patjetër do të ketë probleme nëse humb. Humbja mund të ketë ndikim edhe te Tirana, por jo si do të ishte te Partizani.

Aty trajneri është në aktivitet por profesioni im është të kem punë, unë nuk do të rri pa punë, ky është profesioni. Aq më shumë që Partizani është familja ime. Por të gjitha janë në kuadrin e supozimeve. Unë sinqerisht them që Partizani duhet të përmirësohet dhe jam i bindur që me kualitetin që ka edhe në derbi mund të marrë rezultat pozitiv e qetësohet situata.

Sukseset në derbi? Kam patur fat që nuk kam humbur derbi ndaj Tiranës në periudha të ndryshme që kam drejtuar por edhe në ndeshje të forta, edhe me Kukësin e Laçin, gjithmonë pothuajse bilancin e kam pozitiv. Janë ndeshje që dora e trajnerit është shumë e rëndësishme, sidomos ndeshje mes rivalësh dhe ka shumë rëndësi interpretimi në fushën e lojës.

Nuk kanë të bëjnë pozitat, pavarësisht klasifikimit, janë skuadra të forta me kualitet, nuk ka favoritë. Për mua është i rëndësishëm, meqë kam bërë shumë të tillë, ka të bëjë shumë interpretimi dhe disiplina taktike në këtë ndeshje.

Largimi i Vukiçeviç nga Laçi? Shumë e ka zgjatur. Me atë skuadër e superskuadër, ndoshta Laçi ka qenë skuadra që ishte një hap para të gjithë skuadrave me atë paraqitje të jashtëzakonshme në Europë. E shihja të konsoliduar e më të fortë se të tjerat, ja ku është, po nga krahu tjetër. Nuk e di se çfarë ndodh, e kam parë me mjaft interes sidomos të Laçit se janë djem të mrekullueshëm.

Më ka befasuar edhe në aspektin profesional e njerëzor. I shoh ndeshjet e them nuk është më ajo skuadër, shpresoj të ndryshojë se kualitetet janë brenda. Sa i përket ndeshjes kam mendimin është një zero e madhe në çdo aspekt, nuk ke ku të kapësh Laçin, padyshim edhe fitore e rëndësishme e Egnatias”, tha Duro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb