Tri gra, përfshirë një mikeshë të kryeministres italiane Giorgia Meloni, u vranë të dielën kur një burrë nxori armën dhe hapi zjarr në një takim me banorët e një blloku apartamentesh në Romë.

Sipas mediave të huaja, përveç të vrarëve, të plagosur kanë mbetur katër të tjerë – të paktën një në gjendje të rëndë, kur i armatosuri hapi zjarr në takimin e mbajtur në një lokal në lagjen Fidene të kryeqytetit italian.

Policia arrestoi një 57-vjeçar.
Tre gratë që vdiqën përfshinin Nicoletta Golisano, 50 vjeç, nënë e një djali 10-vjeçar, e cila ishte e pranishme në takim si kontabiliste.

Dhe kryeministrja Giorgia Meloni zbuloi mbrëmjen e së dielës se ato ishin shoqe.

“… Vrasësi ‘është arrestuar dhe shpresoj që drejtësia të marrë rrugën e saj shpejt’. Por ‘fjala “drejtësi’ nuk do t’i përshtatet kurrë këtij rasti. Sepse nuk është e drejtë të vdesësh kështu”, ka shkruar ndër tjerash kryeministrja.

I dyshuari, i quajtur Claudio Campi, ishte një vendas që kishte qenë në një sërë mosmarrëveshjesh me shoqatën e banorëve, tha një dëshmitar për Rai News.

“Ai hyri në dhomë, mbylli derën dhe bërtiti ‘Do t’ju vras të gjithëve’ dhe më pas filloi të qëllonte”, citoi agjencia italiane e lajmeve Ansa të thoshte një tjetër dëshmitar.

POSTIMI I PLOTË I MELONIT
Nikoleta ishte një nënë mbrojtëse, një shoqe e sinqertë dhe e matur, një grua e fortë dhe e brishtë në të njëjtën kohë. Por ajo ishte mbi të gjitha një profesioniste me një ndjenjë të pazakontë të detyrës. Ishte pikërisht ndjenja e detyrës që e solli atje, një mëngjes të së dielës, ku një burrë po e priste për ta vrarë me armë zjarri, së bashku me dy gra të tjera, gjatë një takimi të banorëve në Romë.

Nikoleta ishte shoqja ime. Ajo la burrin e saj Giovanni dhe një djalë të mrekullueshëm dhjetëvjeçar, Lorenzon. Me të sajën janë shkatërruar edhe familje të tjera, të cilave u shpreh afërsinë time.
Burri që vrau këto tre gra të pafajshme dhe plagosi tre persona të tjerë, është arrestuar dhe shpresoj që drejtësia të marrë rrugën e saj sa më shpejt të jetë e mundur. Poligoni i qitjes nga i cili kishte vjedhur armën (i ishte refuzuar leja për të mbajtur armë zjarri) është nën sekuestro.

Megjithatë, fjala “drejtësi” nuk mund të krahasohet kurrë me këtë histori. Sepse nuk është e drejtë të vdesësh kështu.

Nikoleta ishte e lumtur dhe e bukur me fustanin e kuq që kishte blerë për festën e saj të pesëdhjetë të ditëlindjes disa javë më parë. Për mua ajo do të jetë gjithmonë e bukur dhe e lumtur kështu. Mirupafshim Nico. Të dua shumë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: