Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, foli në Forumin në Bled për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zaev tha se Maqedonia e Veriut është vendi që ka pritur më shumë për integrimin, plot 16 vite e gjysmë.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka bërë mjaft reforma, që kanë çuar në përmirësimin e ekonomisë së vendit, ndërsa ka shtuar se BE duhet të hedhë hapin tjetër drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të ruhet motivimi i këtyre vendeve.

“Më duhet të ndaj me njerëzit këtu e me të gjithë faktin që ne jemi në zemër të BE, ne rrethohemi nga vende të BE, si një ishull në brendësi. Një vend mjaft i vogël, mjaft i mirë, shumëetnikë, shumëkulturore. Ky është avantazhi ynë, i pari që na bën tërheqës. Kemi kryer mjaft reforma së fundi. Jemi bërë anëtar të NATO, duke rritur sigurinë në rajon. Të gjitha këto arritje nënkuptojnë ekonominë, investime të huaja dhe të brendshme, që ndikojnë direkt në një PBB më të mirë, në paga më të larta për qytetarët, krijojnë një atmosferë më të mirë të shtetit të së drejtës.

Kjo na bën që t’i mbajmë të rinjtë tanë në vendin tonë dhe ata të mos largohen. Në këtë drejtim nuk është e lehtë të jesh kandidate për 16 vite e gjysmë. Maqedonia e Veriut është vendi që ka pritur kohën më të gjatë për hapjen e negociatave. Kroacia ka festuar 15-vjetorin e anëtarësimit në BE, ndërsa ne kemi marrë rekomandime pozitive, konsensus nga vendet e BE, megjithatë ende nuk është çelur konferenca e parë ndërqeveritare, për të vijuar me procesin e mëtejshëm drejt integrimit.

Për ne nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç asaj të BE. Është si ai individi që do të bëhet pjesë e familjes, por familja nuk e pranon se nuk është ende gati. Ne nuk kemi familje tjetër, kjo është familja jonë. Ne mund të vazhdojmë të europianizojmë vendet tona, sepse ne besojmë në vlerat evropiane, ndaj dhe do të vijojmë në këtë rrugëtim. Kemi çelur nisma të tjera rajonale, si “Ballkani i Hapur”, duke shpresuar që BE të ketë kurajo të mjaftueshme për të hedhur hapin tjetër. Neve na duhet të hidhet hapi tjetër, që të ruhet motivimi ynë dhe të dimë që një ditë do të integrohemi”, tha Zaev.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb