Flet për News24 gruaja e Roland Kryemadhit, të arrestuar nga RENEA ditën e djeshme në Kamëz pasi bëri rezistencë. Besarie Kryemadhi i ka dalë në mbrojtje bashkëshortit të saj duke deklaruar se ai nuk është ekstremist.

“Burri im është njeri i ndershëm punon duke rregulluar biçikleta. I është dorëzuar Allahut por nuk është ekstremist. Kemi 2 vite që merremi në komisariat e gjykata për çështjen e fëmijëve”, ka thënë ajo për gazetaren Dorjana Bezat.

Besarie Kryemadhi ka rrëfyer me detaje gjithçka çfarë ngjau dje kur policia kishte shkuar për ta arrestuar burrin e saj dhe mohon se ai ka pasur armë.
“Burri ishte me arrest shtëpie. Policia e gjeti jashtë dhe e arrestoi, e shtriu në tokë. Ai u iku nga duart dhe u fut brenda. Pastaj erdhi RENEA. Policia gënjen kur thotë se ka pasur kallashnikov. Unë nuk di që burri im të ketë pasur armë. Në momentin e ngjarjes kam qenë duke punuar në makinë qepëse që kam në shtëpi”, tha ajo.

E pyetur se përse nuk i çojnë fëmijët në shkollë, gruaja tha se ata nuk duan dhe se i arsimojnë vetë në shtëpi.
“Fëmijët nuk duan vetë të shkojnë në shkollë dhe ne si kujdestarë të tyre e kemi lejuar. Fëmijët qajnë po t’u thuash shkoni në shkolle sepse aty ka gjëra të këqija. Përdoren fjalë të pista. Ne i arsimojmë vetë fëmijët. U kemi mësuar shqip dhe arabisht të shkruajnë e lexojnë”, deklaroi ajo.

Çifti ka 3 vajza dhe një djale të moshave nga 6 deri në 14 vjeç.

DEKLARATA E POLICISË
Kamzë, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shkuar në banesën e shtetasit Ronald Kryemadhi, për ta shoqëruar në Gjykatë, në zbatim të kërkesës së saj, për shoqërim të detyrueshëm të tij.

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë hyrë në banesë ky shtetas ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka kanosur punonjësit e Policisë për vrasje në rast se do afroheshin dhe më pas është mbyllur në banesë.

Menjëherë në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar forcat e DVP Tiranë, FNSH dhe RENEA dhe është bërë rrethimi i banesës, vendosja e perimetrit të sigurisë, evakuimi i banorëve dhe ndalimi i qarkullimit në perimetrin e sigurisë.

Pas negociatave të bëra nga Forcat Speciale RENEA me autorin, për t’u dorëzuar, ku i fundit, pas gjysmë ore, është vetëdorëzuar, në pamundësi për t’u larguar nga banesa.

Personi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, për veprimeve të mëtejshme.

Grupi hetimor vijon kontrollin në banesë, për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb