Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, në një intervistë të dhënë për emisionin “Kjo Javë”, me gazetaren Nisida Tufa, ka treguar përjetimet e forta që ka jetuar kur ka udhëtuar drejt shtetit të tij pas nisjes së luftës nga Rusia.

Ai thotë se situata e krijuar në qytetet e bombarduara nuk është një film, por një tmerr “që po e shikojmë me sy”. Mes të tjerash, ai rrëfen se ka familjen atje, ndërsa shton se perëndimi i Ukrainës, është në një situatë tejet të rënduar.

Ndërkohë ka treguar se në mesin e viktimave nga lufta, ka pasur edhe persona të rrethit të tij të afërt.

Pjesë nga intervista: 

NISIDA TUFA: Zoti ambasador të afërmit tuaj jetojnë ende në Kiev, apo janë larguar? Si komunikoni me ta?

AMBASADORI: Unë kam vëllain tim, i cili jeton me familjen e tij në Kiev. Nuk patën mundësi të largoheshin sepse gruaja e tij ka probleme me këmbët dhe nuk ecën dot. Sot është ditëlindja e vëllait tim, nuk pata mundësi ta uroja për shkak të angazhimeve, por sigurisht më pas do ta telefonoj. 40% e popullsisë sot në Kiev nuk kanë ngrohje, sot në Kiev ka rënë edhe dëborë dhe dimri po vazhdon. Por sigurisht tmerri më i madh që po përjetojnë njerëzit është në perëndim të Ukrainës. Imagjinoni vetëm në qytetin e Bahmut ku kanë mbetur rreth 4000 mijë persona, nga të cilët një pjesë me fëmije, nuk kanë mundësi të largohen nga qyteti sepse janë të rrethuar. Diçka tjetër e tmerrshme është fakti se mbi 16 mijë fëmijë janë marrë me forcë nga trupat ruse dhe janë larguar në Rusi dhe aktualisht nuk ka asnjë lloj informacioni se çfarë ka ndodhur me ata. Kam shumë nga miqtë e mi të cilët i janë bashkuar ushtrisë dhe po luftojnë. Sot kam folur me një nga miqtë e mi që është në frontin e luftës në Bahmut, dhe është në pritje të disa pajisjeve për të cilat jemi duke u dakordësuar tani edhe me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë. Do doja shumë të ndihmoja dhe më vjen jashtëzakonisht keq që nuk mund të bëjmë më tepër. Ne vazhdojmë të bëjmë maksimumin tonë për të dërguar ndihma për ata njerëz që aktualisht janë të prekur dhe po vuajnë.

NISIDA TUFA: Zoti ambasador ju folët për familjen e vëllait tuaj, dhe arsyeja përse nuk mund të largohen. Sa ka ndikuar lufta në të përditshmen e tyre?

AMBASADORI: Sirenat po vazhdojnë të bien në Ukrainë. Kur bien sirenat disa nga qytetarët zbresin nëpër bodrume apo strehimore dhe të tjerë qëndrojnë nëpër banesat e tyre. Por në momentin që sirenat ndalojnë jeta rikthehet përnjëherë. Dyqanet, supermarketet janë plot, shërbimi mjekësor ekziston pa asnjë lloj problemi. Është diçka që e kam parë edhe tani që isha në Ukrainë që jeta rifillon pasi pushojnë sirenat. Dje kam marrë informacion se më në fund Kharkivit i është kthyer furnizimi me energji, transporti filloi të punonte, por sot në mëngjes përsëri morëm lajme se jeta ndaloi përsëri dhe të gjitha operacionet që po bëhen atje po bëhen vetëm me gjenerator. Qytetet që po shkatërrohen sot janë qytetet rusishtfolës, por pavarësisht kësaj sot populli atje po mundohet, po përpiqet të flasë ukrainisht. Nga ana tjetër është rritur shumë përqindja përsa i përket raportit të Ukrainës me NATO-n dhe BE-në, mbështetjen që ka populli ndaj këtyre dy organizatave. 86% e popullsisë sot mbështesin integrimin e Ukrainës në BE. Por ajo që më bën gjithmonë përshtypje kohët e fundit është aspekti njerëzor që unë po shikoj në të gjitha qytetet e Ukrainës sot. Njerëzit po përpiqen të ndihmojnë njëri-tjetrin në atë mënyrë që ndoshta pak kohë më parë nuk e kishin menduar se mund të ndodhte në këtë mënyrë.

NISIDA TUFA: Sa herë e keni vizituar Ukrainën që kur ka nisur lufta?

AMBASADORI: Kam qenë me delegacionin e zotit kryeministër, Edi Rama vitin e kaluar. Sigurisht ka qenë një vizitë vetëm 1 ditore, por tepër emocionuese, sepse përveç Kievit kemi parë edhe qytete të shkatërruara plotësisht. Sepse siç e dini në këto qytete janë faktuar krimet e luftës që kishin ndodhur atje, këtu përmendim edhe përdhunimet që bëheshin në sy të fëmijëve dhe tmerre e tortura të tjera që ishin bërë ndaj njerëzve civilë. Gjithashtu kam qenë edhe në dhjetor të vitit të kaluar në Ukrainë, sepse presidenti Zelensky ka bërë thirrje për mbledhje të ambasadorëve në Ukrainë. Pas Kievit të gjithë ambasadorët kemi shkuar në qytetin e Mekullajv dhe vizita atje më ka lënë përshtypje shumë të fuqishme, sepse kam parë njerëz që qëndronin në rrugë duke pritur një makinë që sillte ujë. Jam futur brenda disa godinave të shkatërruara dhe në një universitet që ka marrë shumë goditje. Biblioteka e gjëra të tjera nuk ekzistonin më në këtë qytet. Sa u ktheva nga ky udhëtim u takova me kryetaren e Bashkisë së Durrësit për të folur mbi mundësinë e partneritetit sepse këto dy qytete janë shumë të ngjashme me njëri-tjetrin dhe shpresoj se është diçka që do arrijmë të bëjmë në vazhdim. Por sigurisht kam edhe informacione për sa u përket vendeve lindore të Ukrainës, të cilat më tmerrojnë sepse janë informacione vërtet të vështira. Nuk imagjinoj dot si dy popujt, të Ukrainës dhe Rusisë, do të kenë mundësi të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të flasin përsëri. Po flas për këtë me një ndjesi dhimbjeje shumë të madhe, por është e vërtetë.

NISIDA TUFA: Çfarë përjetimi keni pasur dhe sa emocionuese ka qenë kur keni parë një tjetër pamje të qyteteve? Si jeni ndjerë?

AMBASADORI: Unë fola pak më parë për një qytezë Marinka, asgjë nuk ka mbetur më nga ky qytet. Kur shkojmë në një teatër shikojmë një shfaqje, apo një film horror, por ky nuk është një film, është një tmerr që po e shikojmë sot me sy. Brezi që ka përjetuar tmerret e Luftës së Dytë Botërore ka menduar që sot po jeton në një kohë më të qetë, kohë paqeje, por sot janë të detyruar të përjetojnë për së dyti tmerret e luftës. Dhe ne e kuptojmë që kjo luftë po ashpërsohet nga dita në ditë. Dhe njerëz që jetojnë në kushte normale nuk e kanë të mundur të bëjnë asgjë. Ne jemi shumë mirënjohës për forcat tona të armatosura dhe ajrore sepse arrijnë të mbrojnë qytetet e fshatrat tona dhe arrijnë të mos lejojnë shkatërrimin total të tyre. Prandaj në sfondin e të gjitha këtyre krimeve që po ndodhin aktualisht mund të themi që është vërtet një tragjedi për popujt tanë.

NISIDA TUFA: Ka një bilanc të frikshëm të jetëve të humbura. A ka ndër ta persona që ju i keni njohur apo që kanë qenë pjesë e rrethit tuaj miqësor, shoqëror?

AMBASADORI: Po fatkeqësisht kam në rrethin tim të njohur, njerëz që kanë humbur jetën. Është një person që kam qenë vazhdimisht në kontakt, në komunikim, ka qenë një sportist shumë i mirë dhe në maratonën tonë të fundit në mënyrë simbolike kemi bërë edhe foton e tij, për të mbështetur sportistin që ka humbur jetën, i cili u dogj i gjallë në një tank. Fatkeqësisht duke pasur në rrethin tim të ngushtë shoqëror njerëz që kanë humbur jetën, mbase kjo më shtyn më tepër për të bërë një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, me të cilën jemi duke përpunuar projektin për dhënien e dy reanimatorëve për Ukrainën, që të kemi mundësi të shpëtojmë sa më shumë jetë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb