Në konferencën e përbashkët me ministrin e jashtëm Italian, Luigi Di Maio, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë, kryeministri Edi Rama, shprehu edhe një herë mirënjohjen për ndihmën që Italia dha në përballimin e situatës pas tërmetit të 26 nëntorit në vend.

“Dua ta përsëris edhe një herë publikisht, shprehjen e mirënjohjes më të thellë ndaj Italisë, qeverisë dhe trupave të kërkim shpëtimit dhe të emergjencave civile italiane, që ishin të parat që zbarkuan në Shqipëri dhe vunë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzish. Marrëdhënia me Italinë është e shkëlqyer më vjen mirë që edhe me qeverinë e re kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. “ tha Rama, ndërsa theksoi se me ministrin Italian diskutuan edhe mbi reformën në drejtës, e mbi legjislacionin e ri ndaj të ashtuquajturës nga kreu i qeverisë si KÇK.

“Ka shumë e shumë gjëra për të cilat Italia dhe qeveria e Italisë meriton të falenderohet, por pa dashur të zgjatem, dua të them se në radhë të parë e falenderoj pa masë ministrin për impenjimin konstant për të shtyrë procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor e vecanërisht të Shqipërisë. Diskutuam për aspekte të partneritetit strategjik. Italia ka qenë e mbetet parteneri ynë kryesor, vendi që nuk është kursyer asnjëherë në transformimin e Shqipërisë nga një diktaturë në demokraci fuksionale.

Kemi diskutuar edhe legjislacionin e ri kundër KÇK, njësinë kundër korrupsionit. Ministri italian më ka konfirmuar gatishmërinë e Italisë për të na mbështetur me njerëz në terren. Duan që ta thellojmë këtë partneritet strategjik të afrohemi në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. E falenderoj ministrin edhe për mbështetjen që Italia ka dhënë në marrjen e kryesisë së OSBE nga Shqipëria, e siguroj që do bëjmë më të mirën, e do jetë vlerë e shtuar në bashkëpunimin tonë’ u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb