Ndonëse më shumë jashtë sesa brenda Shqipërisë, artisti shqiptar, Anri Sala nuk i harron rrënjët e tij.

Në intervistën me gazetaren, Rudina Xhunga për ciklin “Shqiptarët e mrekullueshëm”, artisti shqiptar ka folur për Shqipërinë dhe Tiranën e sotme, shumë ndryshe këto vitet e fundit.

Rudina Xhunga: Në marrëdhënie me Shqipërinë, je përsëri afër, apo ke më pak kohë tani?

Anri Sala: Jo njëlloj ka qenë, të paktën këto 10 vjetët e fundit. Nuk vij për shumë gjatë, por vij shpesh. Më shumë i kam dhënë avantazh të ardhurit më shpesh, sesa të qëndruarit gjatë. Para një viti isha te Festivali i Resë. Ndihmova me idenë e Resë sesi të vinte kjo strukturë, nga Londra, në Tiranë të qëndronte për ca kohë. Jo nuk më duket fare që jam i shkëputur.

Rudina Xhunga: Si është tani, Tirana e “Dammi i colori”, si është tani, çfarë emri ka tani?

Anri Sala: Ka kaluar në një fazë tjetër, nuk është me te faza e ngjyrave si diçka për sytë. Natyrisht është bërë një qytet më kompleks, me shërbime më komplekse, me probleme që vazhdojnë të jenë komplekse. Por nuk është më ai momenti i aksioneve të forta, radikale. Tani është një qytet ku aksioni është më i shpërndarë, në nivele të ndryshme. Është pjesë e një qyteti që po gjen atë kompleksitetin që i takon. Tirana filluar të marrë ato tiparet e një skene, të një kurioziteti.

Ka të rinj që mendojnë sesi të bëjnë një program ekspozitash brenda një viti, të rinj që lëvizin që shohin Bienalet. Në një farë mënyre kjo po ndihmon që njerëzit edhe kur janë konkurrentë me njëri-tjetrin, sepse çdo vend i vogël e ka pak më problematike konkurrencën, por ajo që shoh unë është konkurrencë që me kalimin e kohës po i tërheq njerëzit për më sipër, ndërkohë që më parë i mbante njerëzit nga poshtë. Këto ndryshime sipas ndjesisë sime po ndodhin këto tre-katër vitet e fundit.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb