Trajneri francez Didier Deschamps ka folur për mediat në prag të ndeshjes mes kampionëve të botës dhe Anglisë këtë të shtunë për një vend në gjysmëfinale të Kupës së Botës në Katar.

Trajneri 54-vjeçar vuri në dukje cilësinë që ka Anglia në kundërsulm dhe vlerësoi Kylian Mbappe, të cilin e konsideron vendimtar. Sipas numrit një të stolit të bluve, nuk është momenti të diskutohet e ardhmja e tij në krye të Francës.

“Ne duhet të jemi të qetë, siç kemi që nga fillimi i turneut. Anglia është një ekip që bën shumë dëme në kundërsulm. Kanë shënuar shumë gola në këtë mënyrë në Botëror. Kanë shumë cilësi. Nuk është rastësi që Anglia është rivalja jonë.

Unë imagjinoj se Anglia e ka studiuar Mbappen, si katër rivalët tanë të mëparshëm. Por Kylian ka aftësi për të bërë ndryshime. Në ndeshjen e fundit, në të cilën ai nuk ishte në nivelin e tij më të mirë krahasuar me dy të parat, ai vazhdoi të ishte vendimtar.

Gjëja më e rëndësishme për momentin është kalimi në gjysmëfinale, nuk është koha të flasim për të ardhmen time apo kur do të takoj presidentin e federatës, kemi një ndeshje shumë të rëndësishme përpara, jemi të fokusuar totalisht tek Anglia” – u shpreh trajneri Deschamps, i cili kërkon të shkruajë historinë si trajneri që fiton dy herë radhazi Kupën e Botës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb