Dan Hutra ka tronditur kryeqytetin dhe mbarë opinion jo vetëm për masakrën që kreu, por dhe për dëshminë e dhënë pas arrestimit.

Pas vrasjes së tre grave dhe plagosjes me thikë të ish-të dashurës së tij, ai nuk shprehu pendesë për krimet, ndërsa tha se do të kishte vrarë edhe një person tjetër para se të arrestohej.

Po ashtu ai u shfaq tepër i ftohtë e i pashqetësuar para gjykatës, duke thënë se edhe sikur të marrë 5 dënime me vdekje, nuk e kishte aspak problem.

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në News24, gazetari Jul Kasapi, u shpreh se vetëm 1 muaj e gjysmë para se Hutra të përfundonte dënimin për dhunë në familje, ka dalë një raport nga burgu i cili e vlerësonte atë të parehabilituar, duke shtuar se edhe pasi të dilte mund të krijonte probleme.

Gazetari shprehet se ky raport duhej të kishte shërbyer si një paralajmërim, se ky person, i dënuar edhe më herët për vrasjen e gruas së tij të parë, mund të shfaqte rrezikshmëri.

“Ajo që kemi arritur të shohim më shumë se rrëfimi, është ftohtësia e një vrasësi.

Para se të linte qelinë, ka një dokument lidhur me sjelljen e tij në burg, në të cilën e kanë vlerësuar negativisht, dhe kanë konkluduar se edhe jashtë burgut nuk ka siguri nëse do të ketë sjellje korrekte.

Ai nuk pranonte krimin e kryer, dhe nga ana tjetër, ajo që të bën përshtypje është se në të thuhet se ky person nuk është i aftë që edhe pasi të dalë nga burgu të ketë një sjellje korrekte.

Ky është si një tip paralajmërimi për këtë person që pas një muaji e gjysmë do linte qelinë.

Nga ana tjetër ky person para se të arrestohej për dhunë në familje, është kapur në shtëpinë e ish-bashkëjetueses, duke i kërcënuar me thikë dhe duke u kërkuar 5 mijë euro për një drekë familjare që kishin bërë”, u shpreh Kasapi.

Ndërkohë Eugen Beçi, Ish-Kreu i Krimeve të Rënda, tha: Burgu jo vetëm që ka dështuar, por është e pamundur që të kemi atë institutin e rehabilitimit.

Policia duhej të ishte informuar për sjelljen e këtij personi, inspektori i policisë së zonës do duhet të ketë një kujdes të shtuar ndaj këtyre personave kur dalin nga burgu. Duhet të shohim që ky person është dënuar dhe për një vrasje, dhe për 16 vite nuk është rehabilituar, do të thotë që diçka nuk shkon me institucionet.

“Sa i përket rrëfimit të tij, është i vërtetë, por të bën përshtypje se kemi të bëjmë me një vrasës gjakftohtë. Flitet pse nuk iu bë një ekspertim psikik, por nuk mendoj se është rasti. Kemi parë dhe ngjarje të tjera që dalin jo të aftë mendërisht, dhe përfundojnë në burgje që nuk janë në këtë kategori vrasësish. Rikujtojmë backgroun e tij kriminal, i dënuar për vrasje me paramendim. Ftohtësia e tij të bën përshtypje.

Edhe kur u arrestua që u tha efektivëve ‘prisni se nuk kam mbaruar punë akoma”, u shpreh gazetari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: