Pensionistja Fatbardha Zyka 61 vjeç nga Mbrostari i Fierit, kontaktoi me redaksinë e Fiks Fare duke kërkuar ndihmë. Ajo si pensioniste përfiton rimbursim të ilaçeve, por spitali nuk i planifikon vizitë për të marrë recetën e tyre.

Fiksi takoi nga afër znj. Zyka ku tregoi se në 5 prill kishte kryer vizitën pranë mjekut specialist kardiolog. Ku sipas rekomandimit ky mjek e nisë për konsultë tek një tjetër mjek kardiolog pranë Spitalit Memorial në Fier për të marrë ilaçet me rimbursim. Që prej asaj date pensionistja ishte endur dyerve të poliklinikës për të prenotuar konsultën dhe për të marrë ilaçet aq të nevojshme për shëndetin e saj duke qenë se vuante nga disa sëmundje.
Edhe në videon e transmetuar në Fiks Fare u pa qartë se pensionistja sorollatej pasi e përcillnin duke i thënë që nuk ka fasha orari të lira. Madje kryeinfermierja i thotë të drejtohet tek Spitali Memorial pasi janë ata që bëjnë të mundur lirimin e orareve që këta të fundit të mund të bëjnë rezervimet.

Por çudi ndodh kur e moshuara i drejtohet Spitalit Memorial pasi këta të fundit ‘ topin’ ia hedhin poliklinikës. Pasi është aty vendi ky pacientja duhet të lërë datën për rezervimin e vizitës me kardiologun. Madje i japin e dhe një numër telefoni ku pensionistja duhet të telefonoj shpesh herë për të marr info nëse janë hapur data të lira apo jo. E moshuara është e sëmurë dhe për muajin maj ende nuk ka një rezervim për të përfituar ilaçet me rimbursim, të cilat ndryshe nuk i merr dot, pasi edhe burrin e ka të paralizuar.

Gjatë gjithë sorollatjeve lart e poshtë sa në spital e sa në poliklinikë , pensionistja sëmuret duke përfunduar në poliklinikë. Grupi i Fiksit u detyrua ta shoqëronte në urgjencën e spitalit të Fierit ku ju u bashkua edhe nëndrejtori i spitalit, doktor Ramadan Çepele. Pasi gjendja e pensionistes u stabiliziua, Fiksi kërkoi një info pranë drejtorisë së spitalit Rajonal Fier.

Përsa i përket rastit nëndrejtori Ramadan Çepele shpjegon se janë disa preparate si preparati i zonjës të cilin nuk mund ta japi për rimbursim specialisti kardiolog i poliklinikës, por vetëm pranë dy qendrave si QSUT dhe Spitali Memorial.

“Në rastin e zonjës është dërguar tek ky i fundit i cili nuk ka fasha për tek mjeku kardiolog dhe kur nuk ka fasha dhe ne nuk ndërhyjmë dot. Nuk është në juridiksionin tonë as QSUT as Spitali Memorial. Ne futemi në sistem në moment kur ka fasha të lira. Për pacientet kronik ne u mbajmë numrin dhe në momentin që hapen fashat ne u telefonojmë dhe i përcaktojmë ditën” pohon Çepele.

Por falë prezencës së Fiksit dhe rastit të bërë publik rasti u zgjidh. Pensionistja Fatbardha Zyka kishte terapi deri në fund të muajit prill dhe për majin ende nuk kishte mundur të rezervonte një vizitë tek mjeku për të marrë recetën e më pas ilaçet. Por Çepele siguroi Fiksin se në datën 2 maj do paraqitet për vizitë tek mjeku specialist dhe kjo u konfirmua. Më në fund edhe për muajin maj 61-vjeçarja e mori recetën për rimbursimin e ilaçeve me shpresën se nuk do të ndodh më në muajt vijues./Top Channel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: