Milan thërret e Inter përgjigjet. Zikaltërit mbajnë të ndezur garën për titull duke siguruar një fitore 1-2 në transfertë përballë Udineses. Tre javë përpara fundit të Serie A, diferenca mbetet 2 pikë. Pas blofin në Dall’Ara, ekipi i Inzaghin reagoi, krijuan iluzionin se gjithçka do mbyllej shpejt teksa Perisic realizoi që në minutën e 12-të.

Në të 39-të ishte Lautaro Martinez, që gaboi fillimisht nga pika e bardhë e penalltisë, me topin që iu përplas në shtyllë për t’iu rikthyer sërish në kokë, këtë herë duke e dërguar në rrjetë dhe rezultatin në 0-2. Atëherë kur më pak pritej, Udine u rikthye në lojë ku në minutën e 72-të, Pussetto ngushtoi shifrat në 1-2 por vetëm kaq, me Inter që del nga “Dacia Arena” me pikë të plotë:

“Ishte një prove karakteri dhe personalitet kundër një ekipi që në muajin prill ka pasur rendimentin më të mirë pas nesh. Tani duhet të tregohemi të zotë, duhet edhe tre sfida deri në përfundim të sezonit, plus edhe finalen e Kupës së Italisë. Skuadra gëzon formë të mirë dhe nuk ka ndërmend të heq dorë deri në fund”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: