Autoritetet turke thonë se nuk parashikojnë që Bashkimi Evropian do të vendosë sanksionet kundër Ankarasë lidhur me konfrontimet me Athinën mbi pretendime në Mesdheun lindor. Bashkimi Evropian ka thënë se mbështet plotësisht Greqinë dhe Qipron në këtë konfrontim dhe ka kërcënuar se po shqyrton sanksione të reja, më të ashpra ndaj Ankarasë:

Bashkimi Evropian ka kërcënuar se po shqyrton mundësinë e sanksioneve ndëshkuese ndaj Ankarasë, nëse nuk fillon dialogu dhe nuk qetësohen gjakrat mes Turqisë dhe Greqisë. BE-ja ka paralajmëruar se nëse vazhdojnë tensionet, Ankaraja do të goditet me sanksione në takimin e krerëve të bllokut më 24-25 shtator. Por shefi i diplomacisë turke, shprehet shpërfillës në një intervistë të dhënë të hënën:

“Siqerisht, nuk pres të ketë sanksione më 24-25 shtator, por ka mundësi. Ka gjasa që të vendosen sanksione kundër anijes sonë, kundër kompanisë apo individëve të caktuar. Ka ndodhur në të kaluarën. Por kjo nuk na bën të heqim dorë nga vendosmëria jonë, përkundrazi,” tha zoti Mevlut Covusoglu.

Kërcënimi i sanksioneve e ka dobësuar edhe më tej lirën turke, duke ndërlikuar rimëkëmbjen ekonomike pas poblemeve të shkaktuara nga pandemia.

Tensionet janë acaruar pasi Turqia ngriti pretendime për shfrytëzim mbi hapësira ujore që besohet se përmbajnë pasuri natyrore, mbi të cilat Greqia këmbëngul se ka sovranitet ekskluziv. Territori në fjalë ndodhet pranë brigjeve të Qipros, me të cilën Turqia nuk ka marrëdhënie diplomatike.

“Për ne Qiproja ka rëndësi kombëtare. Ne jemi gati të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme, ashtu si vepruam në 1974 për sigurinë dhe jetën e vëllezërve tanë qipriotë, duke vepruar me të njëjtën frymë dhe brenda të njëjtave parime,” tha Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një ulje të menjëhershme të tensioneve. Në komente gjatë fundjavës, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike të mosmarrëveshjeve:

“Presidenti e ka bërë shumë të qartë. Ai ka folur me Presidentin Erdogan, me Kryeministrin Mitsotakis, dhe në të dyja rastet e ka thënë që mosmarrëveshjet detare duhet të zgjidhen në mënyrë diplomatike dhe paqësore,” tha zoti Pompeo.

Të dielën, largimi i anijes turke të kërkimeve sizmike nga zona e kontestuar në Mesdhe u përshëndet nga Athina si një hap i parë në drejtimin e duhur:

“Kthimi i anijes turke është një hap i parë pozitiv. Shpresoj se do të vazhdohet në këtë rrugë. Siç e kam thënë, përmbyllja e provokimeve i hap rrugë fillimit të bisedimeve. Nuk e kemi fshehur kurrë faktin se duam të zhvillojmë bisedime me Turqinë, pa provokime dhe akte të njëanshme,” tha kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis.

Ministri i jashtëm turk tha se Ankaraja ishte e hapur për bisedime pa parakushte, por shtoi se anija kërkimore Oruc Reis do të rifillonte shumë shpejt ekspeditën në zonën e diskutuar pasi u kthye të dielën në brigjet jugore turke.

“Ministria e Energjetikës në një deklaratë njoftoi se anija u ankorua pranë portit të Antalias për furizime dhe remont. Procesi do të kryhet ose në portin tonë ose në det të hapur, në varësi të nevojave të anijes. Kjo është thjesht mirëmbajtje rutinë,” tha ministri i jashtëm turk.

Turqia këmbëngul se ka pretendime të ligjshme në zonën e diskutueshme të Mesdheut. Greqia dhe Turqia nuk kanë një marrëveshje që shënjon ndarjen e shelfit kontinental në tabanin e detit Mesdhe./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb