Andres Iniesta, tashmë 33-vjeçar, në fund të sezonit do të largohet nga Barcelona, klub ku ka fituar gjithçka të mundshme më shumë se një herë.

Mesfushori do të shkojë drejt Kinës pa ndonjë pendim sa i takon trofeve me klubin, por e njëjta nuk mund të thuhet për çmimet individuale pasi spanjolli pavarësisht talentit të madh dhe asaj që ka dhënë në fushën e lojës nuk e bëri asnjëherë të vetin “Topin e Artë”.

Për këtë përgjegjësi ka “France Football”, revista franceze që akordon “Topin e Artë”. Tani që Iniesta do të ikë drejt lindjes së largët dhe nuk do të ketë më mundësi ta fitojë këtë çmim individual, “France Football” ka bërë autokritikë, duke kërkuar falje indirekt.

Nëpërmjet një editoriali të kryeredaktorit të saj, Pascal Farre, revista mbulon me lavde mesfushorin spanjoll dhe thekson se emri i tij është një mungesë e dhimbshme në listën e gjatë të fituesve të çmimit më të rëndësishëm individual në futboll.

“Iniesta nuk është një lojtar, është LOJTARI! Pa të, Messi me shumë mundësi do ishte lodhur nga Barcelona. Talenti i tij ishte shpikja. Altruizmi ndoshta ka bërë që t’i privohen çmimet individuale. Në vitin 2010 u rendit i dyti për Topin e Artë dhe në vitin 2012 u rendit i treti. Mes emrave të mëdhenj që mungojnë në listën e Topit të Artë, emri i Iniestës është ai që vret më shumë”, shkruan Farre.

Kujtojmë se në 2010 Iniesta ishte favoriti kryesor për të fituar “Topin e Artë” pasi me golin e tij i dha Spanjës Botërorin si dhe me Barcelonën shkoi deri në gjysmëfinale të “Champions League”, por në mënyrë të papritur trofeun e fitoi Messi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb