Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Vlorë, nga ku ka hedhur akuza sërish ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Basha tha se marrëveshja Berisha-Rama e 2008 dëmtoi bashkëjetesës demokratike. Ai deklaroi se platforma për ndryshime kushtetuese, projekt jo për emra të përveçëm, por mbi ide të përbashkëta

“Edhe një herë, është kënaqësi e madhe të ndodhem në mesin tuaj sot. Momenti që po diskutonim ftesën për të ardhur në Vlorë, filloi një pritshmëri pozitive për tu rikthyer pas një kohe të gjatë në mesin e qytetarëve vlonjatë, në veçanti në mesin e rinisë vlonjate.

Ka qenë një kohë e mbushur me zhvillime, e mbushur me pritshmëri, e mbushur edhe me zhgënjime. Por ajo që ka rëndësi është jo vetëm çfarë kemi kaluar, që është e rëndësishme, por ku do të shkojmë?
Dhe kjo është një pyetje që gjithsecili ia bën vetes. Edhe atyre që janë shumica, për fat të keq në vlorë dhe në Shqipëri, që s’po iu ecën ashtu siç duhet, por edhe dikujt që po iu ecën. Ku do të shkojmë që këtu?
Dhe më shumë sesa për të treguar rrugën ku do të ecim, do të doja të bëja një bashkëbisedim se si e shikoni këtë rrugë. Pa diskutim që unë kam një vizion, një projekt do të thosha, për të rregulluar ato aspekte të jetës politike, prishja e të cilave ka ndikuar jetën ekonomike dhe jetën shoqërore të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë.

Dhe besoj se këto tre-katër herë që kam pasur mundësi të shprehem publikisht, pas një viti e pak heshtje të gjatë, i kam bërë të ditura disa prej këtyre pjesëve të një projekti apo vizioni, se si mund ti bëjmë gjërat më mirë. Por, sado që duam t’i shmangemi, nuk i shmangemi dot përse erdhëm këtu? Dhe ku jemi? Jemi në një Vlorë pa konkurrencë, pa mundësi për gjithë vlonjatët dhe në veçanti për rininë”, deklaroi Basha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai tha më tej se jemi në një Vlorë e cila ka një potencial 10-15 herë më të madh sesa ky është sot, por që nuk arrin dot ta shpalos.

“Pse?! Për shkak të mungesës së konkurrencës. Për shkak të mungesës së hapësirë. Dhe gjithçka fillon tek vendimmarrja politike. E cila për fat të keq vazhdon të dominojë më shumë se çdo vendimmarrje tjetër në jetën e të rinjve dhe jetën e qytetarëve të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Por si kemi ardhur deri këtu?!
Kemi ardhur sepse njerëzit nuk janë të lirë të zgjedhin kë duan dhe të zgjedhurit janë të parazgjedhur. Dhe vetëm mes të parazgjedhurve mund të votoni atë që dëshironi. Si mund ta ndryshojmë këtë?
Si mund të ndryshojmë një rreth vicioz që ka nisur që me ndryshimet famëkeqe të Kushtetutës në 2008-en, të cilat fatkeqësisht I bënë shumë dëm bashkëjetesës demokratike. Unë jam i bindur se ndryshimi I këtij rrethi vicioz. Ju e kuptoni që një gjysmë sjell një gjysmë tjetër”, u shpreh ish-kreu i PD.

Ai theksoi se njerëz të vendosur në lista nga kryetarët e partive, vetëm këta të votohen dhe mund të shkojnë në Parlament sipas renditjes në listë, jo sipas votave që jepni ju.

“Nuk ka rëndësi nëse njëri merr, Blendi merr 9 mijë vota, Ismaili merr 5 mijë vota. Ismaili është i pari në listë dhe hyn Ismaili. Pse?! Sepse kështu ka gjykuar kryetari I partisë.
Këto janë listat e mbyllura që vazhdon e dikton të tjerë përfaqësues në Parlament nga ata që voton populli. Dhe pastaj kur shkojnë në Parlament, kur shkon në parlament Ismaili mban në fuqi të njëjtin ligj. Sepse ai e di që në garë ka ardhur me 5 mijë vota. Po ta hapë listën, në Parlament do të vijë Blendi me 9 mijë vota.
Ky është rrethi vicioz.
Ky është kurthi në të cilin jemi future prej 2008-ës.
Një klasë politike e vjetruar në ide, e vjetër në çdo aspekt, në kuptimin e paaftësisë, për t’i shërbyer dhe për të njohur, në radhë të parë nevojat e qytetarëve dhe pastaj për tu shërbyer atyre. Por riciklon vetveten pa krijuar hapësirë për të rinjtë, në kuptimin e kontributit, dhe aq më pak për të krijuar hapësirë në kuptimin e moshës. Shikoni çfarë ka ndodhur!
Nga 100 votues për herë të parë, vetëm 13 kanë marrë pjesë. 13% është pjesëmarrja në votime e grupmoshës 18-20 vjeç, para dy javësh në zgjedhjet e 14 Majit.Si mund ta ndryshojmë këtë?”, pyeti Basha.

Ai theksoi më tej se duhet të biem dakord që kjo nuk ndryshohet e gjuhën e vjetër, me kulturën e vjetër politike; me sharje, me banalitete, me kërcënime, me demagogji, me tallava nuk vjen as debati nuk dëgjohet, jo më të ndryshohet diçka.

“Që të ndryshojmë, jam i bindur, që gjëja e parë që duhet të bëjmë është t’i qasemi debatit me një gjuhë të re, me një kulturë të re politike, me një tërësi vlerash që reflektojnë hallet, problemet, shpresat e qytetarëve; dhe jo ankthet dhe projektet individuale dhe hallet e politikanëve.
Kjo, në mendimin tim është e para që duhet të bëjmë.
E dyta, duhet të kuptojmë që ky s’mund të jetë një projekt që bëhet për emra të përveçëm. Sepse ndryshimet e Kushtetutës në 2008 u bënë me dritëshkurtësinë e përfitimit të menjëhershëm.
“Çfarë përfitoj unë?”- tha njëri dhe “Çfarë përfitoj unë” – tha tjetri dhe ia bënë këtë gjëmë Shqipërisë.
Tani duhet të mendojmë afatgjatë.
Detyra jonë, në veçanti detyra juaj si brez i ri, të mendoni dhe jeni të prirur të mendoni jo vetëm për 4 vitet e ardhshme. Ju e keni jetën përpara. Prandaj jam i lumtur që jam këtu me rininë sepse ju nga vetë natyra jeni të interesuar, jo thjesht për diçka sot për sot, por për diçka të qëndrueshme. Dhe kjo ndërtohet mbi vlera”, tha Basha.

Basha ironizoi Berishën duke pyetur: “Ku është revolucionin që do e rrëzonte për 6 muaj Ramën?”. Ai tha se nuk është bërë pishman për 9 shtatorin, pasi sipas tij ishte një vendim në interes të demokratëve.

“Natyrisht përgjigjja e shkurtër është jo, nuk jam bërë pishman. Nuk jam bërë pishman sepse vendimin nuk e kam marrë i nisur as nga interesi im, as nga interesi i një grupi të ngushtë. E kam marrë nisur nga interesi i demokratëve, të cilët e kanë parë me 14 majin se ku na çon vendimmarrja e gabuar, se ku na çon gjykimi pa mend në kokë. Po gjykimi vetëm me emocion të cilin e kuptoj. Shiko, mua nuk do të më dëgjoni kurrë të bëjë bardh e zi. Bardh e zi është varfëri mendore dhe varfëri shpirtërore. Nuk do të më dëgjoni kurrë të lëpij atë që kam pështyrë. As të shkel mbi atë që kam ecur, me bindjen se ka qenë rruga e drejt. Maksimumi mund të pendohem, siç jam penduar për jo pak gjëra dhe të kërkoj ndjesë siç kam kërkuar ndjesë, por duhet të kërkoj edhe më shumë, por jo të rivizatojë të kaluarën nisur nga interesat e të sotmes apo të nesërmes, këtë nuk kam për ta bërë kurrë. Me Sali Berishën kemi pasur një rrugëtim me pjesët e veta pozitive, të padiskutueshme që edhe sot nuk mund t’i mohojmë as unë dhe askush tjetër. Unë i pai jo, sikundër me dritëhijet e veta”, tha Basha.

“Unë nuk jam që në këtë moment, meqë ai shpall armik këdo që si pëlqen dhe unë ta shpall armik. Nuk jam për këtë. Në një moment, pas vendimmarrjes së Shteteve të Bashkuara për ta shpallur non grata, ne u ballafaquam me një vendimmarrje të vështirë, vendimmarrje që në fakt sfidon nëse je lider i vërtet apo i rremë. Se lider për të marrë vendime kur je në majën e pushtetit janë të gjithë. Dalim aty, në veçanti këtu në bulevardin kryesorë të Vlorës dhe e kemi plotë me lider të kalibrit europianë apo jo? Ama prova e vërtetë e lidershipit është kur duhet të marrësh vendim të vështirë. Sprova e vërtetë e lidershipit është nëse ndodhesh para një vendimi që o do të sakrifikosh veten, o do të sakrifikosh ata që të kanë besuar lidershipin. Lidershipi që sakrifikon ata që i kanë besuar lidershipin për të shpëtuar veten, është lidership i rremë. Dhe unë nuk pranova i dashur Edison, të jem një lider i rremë. Unë e dija që pa marrjen e një vendimi të tillë, Partia Demokratike dhe demokratët do të futeshin në një kolaps, në një rrugë pa krye dhe për asnjë çast nuk pretendova të kundërtën. Dhe kjo, pa diskutim që më vuri para përgjegjësisë për të marrë atë vendim. E dëgjuat çfarë tha pas kësaj? Dëgjuat sulmet, baltën, shpifjet? Ku jemi sot? Ku e kemi sot revolucionin që do e rrëzonte për 6 muaj Edi Ramën? Ku e kemi sot retorikën gjithë inflacion të shitjes së zgjedhjeve? Sepse derisa mora atë vendim, kjo retorikë nuk ekzistonte”, u shpreh ai.

Ish-kreu i PD-së tha më tej se shpifjet dhe balta që hidhen sot ndaj meje, është e njëjta që hidhte Edi Rama kundër meje.

“Po tani ku jemi? Jemi më mirë apo më keq? Pse jemi më keq? Sepse vendosi interesin e vet personal mbi interesat e demokratëve. Nuk është kurrë vonë për të hedhur hapin e duhur. Dhe sot hapi i duhur është të reflektosh dhe në rastin e tij të reflektojë dhe të tërhiqet. Kurrë nuk është vonë. Për të ruajtur atë vlerësim për aspektet pozitive të lidershipit të tij, por për të mos e thelluar edhe më tej zullumin, dëmin që i ka bërë demokratëve me pjesë të errëta që janë shfaqur në veçanti gjatë këtyre muajve, gjatë këtij një vit e gjysmë. Por kjo nuk është në dorën time, as në dorën tënde. Kjo është në dorën e tij. Në dorën tonë është të vazhdojmë verbtazi pas një rruge qore, apo të hapim rrugën tonë dhe të bashkohemi në këtë rrugë për të ecur përpara. Ky është vendimi që duhet të marrim. Shumica prej jush në këtë sallë besoj, por edhe të tjerë që prej dhjetorit të vitit 2021 e kanë marrë vendimin. Dhe ftesa ime është të bashkojmë sa më shumë qytetarë, sa më shumë demokratë eth kësaj rruge, sepse ky është shansi i vetëm për ta çuar Partinë Demokratike drejt fitores dhe për ta çuar Shqipërinë tek ndryshimi i shumëpritur. Nuk ka asnjë arsye për t’u kthyer mbrapa, duke përfshirë këtu edhe vendimin e 9 shtatorit. Prandaj, sa më shumë kohë kalon aq më i bindur jam që vendimi i 9 shtatorit ishte vendimi më i drejt, madje mund të them që nëse ka diçka që mund të korrigjoja, është që ky vendim të ishte marrë edhe më herët, për t’i çliruar demokratët edhe nga pesha e rëndë e të kaluarës”, deklaroi Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: