Ish-trajneri i Partizanit, Klevi Dalipi, analizoi zhvillimet e fundit në Kategorinë Superiore, ku u ndal në 3 shkarkimet e trajnerëve të ndodhur ditën e djeshme. I ftuar në studion e emisionit “Sport News Plus” të gazetares Daljana Sejdia në televizionin “News 24”, Dalipi u shpreh:  “Trajnerët maten me rezultate dhe jo rastësisht u shkarkuan 3 trajnerët e fundit. Partizanit nuk i lejoheshe të bënte 2 humbje radhazi. Nuk ishte rastësi. Drejtuesit me shumë të drejtë kanë bërë një zgjedhje. Në këto moment Partizani humbi vendin e parë. Luftëtari vinte mbas shumë rezultatesh negative dhe bënte lojë sporadike. Nëse nuk grumbullon 7-8 pikë dhe të ishte 4 pikë larg Skënderbeut, unë mendoj që ai nuk e ka arritur objektivin.


Rasti i fundit është i Bledi Shkëmbit. Nuk jam shumë dakord me shkarkimin e Shkëmbit. Skuadra luante, por kishte shtrepërsi në sulm. Nuk ishte realiteti i takimit me Kukësin rezultati 4-0. Konkluzioni është që trajnerët maten me rezultate. Është më e vështirë të jesh trajner në Superiore se jashtë.


Nuk është rastësi që Partizani bëri një përformancë kaq të dobët. Edhe humbja e fundit në derbi shkarkoi një trajner, në atë kohë Hasan Lika. Humbja ndaj Bylisit, ndikoi shumë në skuadër. Trajneri e humbi fillin për të pasur një ide të qartë që derbi luhet për t’u fituar. Ai e sheh më mirë skuadrën, por mungesa e Telushit, Malës dhe Asanit, ndikoi shumë në mbarvajtjen e ndeshjes.


Unë nuk e prisja fitoren e Tiranës. Impianti ishte i mrekullueshëm dhe ta lejonte lojën efektive. Tirana e nisi më mirë takimin, edhe pse ishin me skema të ndryshëm. Torasa rilindi në këtë ndeshje, ka bërë një nga sfidat më të mira. Ka qenë gjithmonë problem për treshen e Partizanit. Asnjëherë nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte. Kanë bërë shumë gabime në mesfushë. Goli i Bathës ka ardhur nga linja mbrapa.

Duhet të markohej nga mesfushë e qendrës. Tirana e dominoi ndeshjen deri në minutën e 35-të. Minutat e fundit të pjesës së parë folën për Partizanin. Në pjesën e dytë, Tirana ishte më me dëshirë dhe meritoi fitoren kundër Partizanit. Ishin shumë më Superiorë. Unë mendoj që Partizani nuk e studioi mirë situatën”, u shpreh Dalipi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb