TIRANË

Në fjalën e tij, në prezantimin e programit “Drejtësia që duam” kreu i qeverisë u shpreh se 25 prilli është dita e udhëkryqit të madh për fatin e drejtësisë. Rama theksoi se PS nuk është as kishë e as xhami është një mision që vazhdon pa u ndalur i pa krahasueshëm me të tjerët në fushën e ndeshjes.

“Ju na keni dhënë një mbështetje të madhe dhe mund të keni shkaqe të drejta për t’u ndjerë të zhgënjyer, mund të jeni të pamotivuar të dëgjoni për gjëra që kemi bërë apo do bëjmë sepse vajza, shoku apo shoqja juaj ka ikur nga Shqipëria pasi nuk e gjeti atë që kërkoi këtu, apo sepse rruga mund të jetë akoma sic ishte që kur nuk mbahet mend, apo se nuk keni ujë 24 orë e dritat mund të ikin akoma.

25 prilli është dita e udhëkryqit të madh për fatin e drejtësisë që të gjithë duam. Nuk jam i dërguari i Zotit në tokë, as ëngjëll nuk jam. PS, unë vetë nuk jemi një zgjidhje ideale në këtë udhëkryq, nuk jemi pa të meta, janë sa të duash njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që të paktën një herë nuk e kanë marrë shërbimin që kanë kerkuar. Nuk jemi as pyll pa derra, se batakçinj e pisanjos ka pasur e ka akoma, në zyrat e këtij shteti, por PS nuk është as kishë e as xhami, është një mision që vazhdon pa u ndalur e i pa krahasueshëm në fushën e ndeshjes.”- u shpreh Rama, ndërsa komentoi edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë që ai drejton.

“Shumë kush nuk e kupton pse partnerët tanë bëjnë deklarata pro qeverisë apo pro meje. Nuk kanë ata asnjë arsye të marrin anë dhe nuk është në karakterin e tyre. Ka vetëm një arsye të madhe e të qartë për mbështetjen e tyre, që shpesh përqeshet si mbështetje për ne: Reforma në drejtësi dhe e ardhmja e drejtësisë në Shqipëri. Gjërat po lëvizin jo aq shumë e shpejt, sa do të dëshironit, por po lëvizin. SPAK është futur në lëvizje.” – vijoi Rama ndërsa mori si shembull, rastin e gjyqtares Enkeleda Hoxha si edhe të kardiokirurgut Edvin Prifti.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb