Agron Shehaj, kandidat për kryetar të Partisë Demokratike në zgjedhjet e brendshme që do të zhvillohen më 13 qershor, në një prononcim për mediat, tregoi arsyet se përse ka vendosur të kandidojë.

Ai thotë se ka ardhur koha që Partia Demokratike të hapet, të bëhet më gjithëpërfshirëse dhe të ndryshojë kryetarin, pasi sipas tij, me liderin aktual, nuk fitohet në zgjedhjet e 2025.

Gjithashtu, Shehaj tha se do të propozojë që në statutin e PD, kryetari i partisë të zgjidhet vetëm një herë dhe të ketë vetëm një herë shansin për të fituar, ose në të kundërt, të shkarkohet nga drejtimi i partisë.

“Vendosa të kandidoj për kryetar të Partisë Demokratike, sepse u binda që udhëheqja e tanishme nuk mund ta çojë Partinë Demokratike në fitore.

Po kandidoj sepse udhëheqja aktuale po përpiqet ta kalojë humbjen e 25 prillit, si një gjë të zakonshme, si një gjë normale, pa reflektuar dhe pa ndryshuar asgjë.

Kandidimi im nuk është përpjekje për të marrë një post, por fillimi i një projekti ndryshimi të Partisë Demokratike sot, për ta ndryshuar Shqipërinë nesër.

Më 13 qershor anëtarët e Partisë Demokratike nuk do të zgjedhin thjesht kryetarin e ri, por do të vendosin nëse duan të fitojnë apo të humbasin prapë edhe në zgjedhjet e 2025-ës.

Mosndryshimi i udhëheqjes së tanishme të Partisë Demokratike është rruga e sigurtë për të humbur përsëri.

Unë kam ndershmërinë, përvojën dhe aftësinë e duhur për ta çuar Partinë Demokratike në rrugën e fitores.

Edi Rama është politikan i korruptuar dhe antidemokratik. Për ta mundur regjimin e tij, Partia Demokratike dhe Shqipëria ka nevojë për një udhëheqës krejt ndryshe nga ai: të pakorruptuar, të pakorruptueshëm, me kurajë dhe gjithëpërfshirës.

Me këto vlera ne do të rikthejmë besimin e qytetarëve te Partia Demokratike dhe ta çojmë atë drejt fitores.

Partia jonë ka nevojë për reformë të thellë e të menjëhershme, në mënyrë që ajo të jetë moderne, demokratike, meritokratike.

Të qënurit kryetar i Partisë Demokratike nuk duhet të jetë vetëm privilegj, por duhet të jetë edhe përgjegjësi.

Prandaj propozoj se në Statut të sanksionohet se kryetari i Partisë Demokratike duhet të ketë vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet dhe të japë dorëheqjen kur humbet zgjedhjet parlamentare duke mos kandiduar më, pa asnjë justifikim, pa asnjë përjashtim.

Partia Demokratike duhet të bëhet partia e konkurrencës dhe e mundësive për të gjithë.

Për këtë propozoj se në Statutin e Partisë Demokratike të sanksionohet parimi i zgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga anëtarësia me parimin një anëtar, një votë”, tha Shehaj.

Ndër të tjera Shehaj tha se me liderin aktual Lulzim Basha marrëdhëniet janë korrekte, ndërsa pranoi se në këtë garë, kushtet nuk janë të barabarta. Ai tha se nuk duhet harruar që zgjedhjet u humbën dhe në pushtet u la sipas tij një nga qeveritë më të korruptuara në këto 30 vite.

“Duhet hapur PD, vendimet duhet të merren nga anëtarët. Duhet të jetë e qartë dhe transparente nga vendimet që merr. Një nga vendimet e mia do të jetë publikimi i listës, me parimin një anëtarë një votë.

S’ka dyshim që s’jemi në kushte të barabarta. Unë nuk kam gjë personale me Bashën, mua s’më ka bërë asgjë.

Mendoj që Basha aq sa mundi, por ne humbëm zgjedhjet, nuk duhet të presim. Duhet të bëjmë ndryshimet e duhura për të fituar në vitin 2025.

Mos harrojmë që ne nuk humbëm zgjedhjet, lamë në pushtet një nga qeveritë më të korruptuara të këtyre 30 viteve”, përfundoi Shehaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: