Trajneri i njohur shqiptar Shpëtim Duro, i ftuar në emisionin “Sport News” të moderatores Enxhi Biba në News 24, komentoi barazimin e Vllaznisë me Egnatian, si dhe ndeshjet e tjera të javës së tetë të Superiores, duke u ndalur kryesisht te derbi.

Egnatia-Vllaznia – “Barazimi sot i shkon përshtat skuadrës së Egnatias, dhe jo pozitiv për Vllazninë duke pasur parasysh dhe objektivat. Vllaznia është në krizë rezultatesh, skuadër që është nisur si favorite për titullin, dhe në 3 sfida ka shënuar vetëm 1 gol. Është skuadër që po ndëshkohet shumë, po pëson dhe është në pozita jo të mira pas këtyre ndeshjesh.

Aty duken që kanë probleme menaxhimi, të lojtarëve të skuadrës. Kur ke shumë mbipopullim, është shumë e vështirë për t’i menaxhuar. Dhe rezultatet negative hapin probleme të shumta. Vllaznia ka kontingjent, por nuk ka marrë atë që duhet të marrë.

Gjesti i Latifit – Jam trajner vet dhe në këto momente i jap të drejtë Brdaric. Veprimi i Latifit nuk është i mirë, kur e shikon mbrapa bëhet pishman. Në pjesën e dytë, Latifi po krijonte shumë rrezikshmëri, që e theksoi dhe vetë trajneri i Egantias, tha u qetësova kur doli. Veprimi që bëri nuk është i drejtë.

Aleanca në Superiore? – Kam 25 vite që jam në Superligë, mund të ketë ndonjë aleancë në fund kur skuadrat janë jashtë objektivat. Unë jetoj në Tiranë, njoh nga të dy ekipet, ishte hakmarrje nga Tirana. Dhe ndeshja e dytë e Kupës do të jetë e luftuar, dhe nuk ka kurrë aleanca në fillim të kampionatit”, u shpreh Duro.

A është Tirana skuadra për t’u mundur? – “Absolutisht po. Normalisht jo vetëm se fitoi derbin 4-0 me Dinamon, por janë 4-5 ndeshje radhazi, pra është një skuadër jashtëzakonisht serioze në pretendimet për titullin. E tregojnë edhe treguesit teknikë. Unë dëgjoj analistë nëpër media, që thonë është skuadër e bukur.

Në futboll ka bukuri kur ka ekuilibër. Tirana nuk është shumë e bukur, por është racionale. Ka fituar me rivalët direkt, nuk ka pësuar gol e ka shënuar me të gjithë. Kjo është skuadra që shkon drejt titullit kampion. Kam dëgjuar që Kukësi thonë është i bukur, por kur merr 12-13 gola nuk shkohet.

Vllaznia është e bukur por ka ngrënë më shumë gola se të tjerët, Dinamo është e njëjta situatë. Në futboll bukuria është ekuilibër. Pra të jesh i bukur në sulm, por njëkohësisht komplet në të gjithë elementët që ka loja.

Në këtë aspekt Tirana është më e avantazhuar, është e vështirë të konkurrohet në këtë sezon. Por është vetëm fillimi, duke parë edhe oshilacionet e skuadrave të tjera, shoh që është e vështirë për t’u përballuar”.

Derbi i ndryshëm në Kupë dhe kampionat – “Kam mendimin se Dinamo zhvilloi një ndeshje shumë të bukur të mërkurën dhe pas tre ditësh ishte hija e vetvetes. Tirana zhvilloi një ndeshje deri diku të mirë në Kupë, dhe një ndeshje ndryshe në kampionat.

Mendoj se çdo ndeshje është ndryshe, Dinamo e kishte marrë pak më lehtësisht Tiranën në kampionat meqë fitoi 2-0 dhe pashë një skuadër totalisht të shthuru> Unë kam qenë protagonist në shumë derbi, në derbi nuk mund të mundesh me 4 apo 5 gola, derbi interpretohet, mund ta humbësh 1-0 por jo 4-0.

Dinamo ishte skuadër e shthurur, Tirana në çdo aksion rrezikonte të shënonte, interpretimi i lojtarëve nuk ishte i tre ditëve më parë. Ndoshta ka ndikuar ndonjë mungesë, ndoshta edhe lodhja e Ibraimit, duhet që edhe të tjerët të ndihmojnë në situata të tilla. Pashë diçka krejt ndryshe nga e mërkura”.

Rivalët – “Ishte Partizani që ishte pretendenti kryesor për titullin, por Partizani është shumë larg dhe kjo i jep qetësi Tiranës. Kukësi krijoi atmosferë pozitive në 2-3 ndeshje, nuk dua të dalim në përcaktime para kohe, shohim Kukësin që ka 2-3 ndeshje që nuk është më skuadër.

Është mundur nga Egnatia dhe dalja nga Kupa është objektiv madhor për këto skuadra. Nuk është Teuta e rrezikshme si vjet, se mungon Bregu dhe një mbrojtje solide që kishte dhe nuk është më. Deri në këto momente nuk ka skuadra me atë ecuri e ekuilibër që ka Tirana.

Tirana nuk është e fortë se sezonin e kaluar apo para dy sezonesh, por një skuadër që trajneri po i vendos mirë, mbrohet mirë, nuk pëson e ndëshkon kundërshtarët. Kjo është formula që të çon drejt titullit. Një skuadër si Vllaznia pëson 12-13 gola, Dinamo e Kukësi në të njëjtëat situata, nuk fitohet titulli me këto luhatje”.

Paraqitja e Dinamos – “Dinamo zhvilloi ndeshje të mira, por oshilacionet duhet të eliminohen, shoh një skuadër që duhet të jetë më e disiplinuar taktikisht, lojtarët duhet ta ndjejnë. Janë marrë me emër nga skuadrat e tyre, ata që kanë luajtur te Apolonia mendojnë akoma që janë ende pjesë e Apolonisë.

Kanë veshur fanellën e një skuadre legjendare, duhet ta kuptojnë objektivat, investimet që ka bërë presidenti, është një nga skuadrat më korrekte nga të gjithë elementët. Duhet ta kuptojnë që të mos luajnë në mënyrë të shthurur, të ulen me këmbë në tokë. Dinamo i ka lojtarët, por duhet të dinë mirë  e ta shohin se çfarë klubi përfaqësojnë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb