TIRANË

Zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj ka mohuar sot se Ujësjellësit kanë borxhe apo fatura të papaguara energjie. Ai tha se janë punë në proces të cilat paguhen në raport me faturat e dorëzuara.

Ahmetaj foli për reformën e ujit, e cila tha se do të prezantohet së shpejti, teksa e cilësoi buxhetin e 2022 më të madhin në historinë e Shqipërisë.

“Nuk ka borxhe të papaguara, janë punë në proces të cilat paguhen në raport me dorëzimin e faturave dhe me pagesën e faturave nga privatët të TVSH-së. Me buxhetin e këtij viti në fund, me aktin e ri normativ që do të bëjmë në fund të vitit do të ketë gjithashtu pagesa shumë të mëdha për të gjithë projektet e infrastrukturës, qoftë në infrastrukturën rrugore, qoftë në infrastrukturën e ujit dhe avancimi i punëve do jetë i përputhur i gjithi me pagesat për detyrimet që kemi ndaj kontraktorëve. E njëjta gjë ndodh dhe me vitin tjetër. Besoj shumë shpejt që ministrja së bashku me kryeministrin do paraqesin dhe reformën e ujit që do jetë dhe një ndër reformat e mëdha në mandatin e tretë. Buxheti i vitit 2022 është buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, do ta quaja pa asnjë lloj dyshimi është buxheti i dixhitalizimit, buxheti i shërbimeve ndaj qytetarëve, buxheti i infrastrukturës gjigante, që nga tuneli i Llogarasë, që nga Unaza e Tiranës, që nga Skavica, e shumë projekte të tjera, hekurudha, porti i ri i Durrësit. Jemi përpara buxhetit më të madh në historinë e Shqipërisë dhe buxhetit që fokusohet tek qytetari, tek shërbimet ndaj qytetarit, tek infrastruktura në funksion të qytetarit, sipërmarrjes”, deklaroi Ahmetaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb