Anëtari i Kryesisë në Partinë Demokratike, Fitim Zekthi ka folur pak minuta para nisjes së Kuvendit Kombëtar për gazetarin e Neës24 Osman Stafa. Zekthi e cilësoi referendumin e zhvilluar nga komisioni për rithemelimin e PD-së një karikaturë. Ai tha se ky Kuvend është i ligjshëm dhe se është i befasuar nga pjesëmarrja.

“Ka një PD këtu. Ajo që e quani ju referendum, një karikaturë e një votimi, që bëhet nëpër shtëpi, kafe, mejhanet. Bëhet fjalë për një dallim themelor. Jam i befasuar nga kjo pjesëmarrje, më e madhe se ajo e qershorit. Ndjeshmëria e demokratëve është shumë e lartë. Drejtuesit e asaj lëvizje po përdorin demokratët për qëllime të vogla që nuk iu shërbejnë shqiptarëve.
E vetmja mënyrë që kemi për të verifikuar shumicën është ndjekja e rregullit, e statutit, e normave. Ky është një Kuvend i ligjshëm i PD, po i verifikon kandidatët, këtu do kuptohet nëse ka kuorum. Ndërsa ana tjetër nuk po verifikon asgjë në mënyrë të ligjshme. Vetë Ali vetë Kadi. Sikur të jetë një organizatë paralele që nuk ka lidhje me PD. Verifikimi i parë është legjitimiteti. Nuk ka demokraci pa rregulla, pa standarde”, deklaroi Zekthi.

Sa i përket ndryshimeve që pritet të propozohen sot, si aleanca me qytetarët, ai tha se është jetike.

“Në qoftë se është fasadë do jetë një fatkeqësi për PD. PD po hyn në një fazë të re. PD nevojën për një aleancë me qytetarët, me më të mirët të çdo lloj fushe e ka jetike”, tha Zekthi.

Lidhur me vendimin që personat e shpallur non grata nga SHBA të mos jenë pjesë e kryesisë së PD, ai tha se nuk bëhet fjalë për ndryshim statutor, por vendim të Kuvendit.

“Nuk bëhet fjalë për një ndryshim statutor, bëhet fjalë për një vendim të Kuvendit të PD për të vendosur një standard. Që çdokush që shpallet non grata nga SHBA nuk mund të marrë pjesë në strukturat drejtuese. SHBA nga ne konsiderohet një pikë e rëndësishme mbështetëse në luftën kundër korrupsionit dhe luftën për demokraci. Tashmë ne hyjmë në një fazë të re etike, e jetike të moralit politik”, tha Zekthi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb