Për nënkryetaren  dhe deputeten e PD, Jorida Tabaku vendimi për përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha ishte i pashmangshëm. E ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën, Tabaku ka komentuar takimet e ish-kryeministrit duke thënë se PD mbështet çdolloj proteste nga qytetarët pasi prek ata. Ajo u shpreh se kjo situatë do të kalojë dhe se nuk ka asnjë devijim nga aksioni opozitar.

“Nuk mendoj se ka thënë ndonjë gjë ndryshe nga ajo që u tha në konferencën e djeshme në PD. E kam të vështirë të komentojnë sa herë bëhet fjalë për zotin Berisha. Dje zoti Basha e tha që sa herë që ka protesta  nga qytetarët, sepse kjo është një gjë që prek qytetarët, përtej politikës. Ne politikën do ta bëjmë në parlament, jemi duke përdorur të gjitha hapsirat në komisione për këto. Nuk ka rëndësi se kush e thërret protestën. Pak ditë më parë qytetarët thirrën një protestë dhe iu bashkuan shumë anëtarë të PD, shumë deputetë. Dje zoti Basha e tha që nuk kemi asnjë kompleks që të thërrasim protesta. Ne duhet ta shikojmë protestën edhe një mënyrë për keqqeverisjen. Besoj që e keqja e sotme është Edi Rama. Çdo mënyrë për të protestuar kundër tij na krijon negativitet. Deklaratat që nuk i pëlqej, që janë thënë në emocion e sipër sigurisht që nuk i komentoj dot. Besoj që të gjithë duhet të jemi bashkë kundër Edi Ramës. Është një moment që do të kalojë por e rëndësishme është që aksioni opozitar nuk ka asnjë devijim. PD ka treguar që prodhon debat. Vendimi që mori zoti Basha nuk ishte një vendim i lehtë, ishte një vendim i vështirë dhe i pashmangshëm. Duhet të shohim se si ta bëjmë PD-në forcë qeverisëse. Pavarësisht se jemi superiorë në krahasim më çdo fushë në qeveri fatkeqësisht ndodhemi në opozitë prej disa masakrave si ajo zgjedhore. Kushdo që do të japë kontributin e vet të vazhdojë ta japë në PD. Unë e kam parë problematikën që ne kemi dhe e kemi diskutuar. Edi Rama punon jo për qytetarët, por si të mbajë pushtetin. Ne kemi nisur një proces të brendshëm dhe kushdo ka reflektuar. Prania jonë në terren është një nga elementët që mund të ishte përmirësuar. Ne kemi pasur më pak deputetë për të kontrolluar territorin përballë një armate. Të marrësh një numër të tillë votash besoj se është një arritje e madhe dhe motivon këdo që është përfshirë dhe i kemi të gjitha mundësitë për të qenë forcë qeverisëse. Ne kemi vendosur 3 prioritete:

-Reformë e plotë Territoriale

-Reformë e plotë Zgjedhore

-Reformë Kushtetuese

Besoj që kjo e kombinuar me atë që bëmë ne gjatë këtij viti dhe me mbështetjen e qytetarëve do ta sjelli PD-në në pushtet”- tha Tabaku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb