Nuk ka fitues në supersfidën e javës së dytë të Serie A midis Atalantës dhe Milanit. Kampionët në fuqi janë ndalur në transfertë në sfidën që përfundoi me rezultatin 1-1.

Ndeshja nis e balancuar me të dyja ekipet që provojnë të prishin ekuilibrat e takimit. Megjithatë, për të parë golin e parë të ndeshjes duhet të vijë minuta e 29. Ruslan Malinovski harrohet në limitet e zonës dhe me një goditje të bukur mposht portierin Maignan. Me rezultatin 1-0 përfundon edhe pjesa e parë.

Ndërkohë që në pjesën e dytë Milani është më kërkues dhe futet më shumë në aventurë për të gjetur golin e barazimit. Ka më shumë hapësira në fushë dhe të dyja ekipet prodhojnë raste të një pas njëshme.

Megjithatë, goli vjen nga skuadra e Milanit që baraspeshon gjithçka me Ismael Bennacer. Ky i fundit lëviz mirë në zonë dhe me një goditje në cepin e portës çon topin në rrjetë. Trajnerët hedhin në fushë forca të freskëta për të fituar ndeshjen, por asnjë nuk tregohet i qartë përpara portës. Kështu, sfida në fund përfundon në barazim 1-1 me të dyja ekipet që ndajnë nga një pikë.

Po në 1-1 është mbyllur edhe sfida tjetër e mbrëmjes midis Bolognas dhe Hellas Verona. Vendasit zhbllokojnë rezultatin pas 21 minutash lojë me anë të Arnautovic. Baraspesha vendoset në fundin e pjesës së parë pas golit të Thomas Henry.

Bologna gjen sërish rrugën e rrjetës, këtë herë me anë të Orsolinit, por gjyqtari anulon gjithçka pas konsultimit me sistemin VAR. Në pjesën e dytë, Bologna luajti me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Ricardo Orsolinit. Verona u përpoq të përfitonte nga epërsia numerike në fushë, por në fund sfida përfundon në paqe me ekipet që ndajnë nga një pikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb