Nga 2 maji, një pjesë e shërbimeve shtetërore do të ofrohen online për qytetarët. Për të folur rreth këtij inovacioni, që qeveria e ka quajtur risi, ishte e ftuar në rubrikën “Opinion” ministrja Milva Ekonomi. Ajo tregoi gjatë fjalës së saj, se shërbimet që do të ofrohen online veç kohës së shkurtuar dhe shmangies së radhëve, do të minimizojnë korrupsionin.

“Janë mijëra shërbime që do ofrohen online. Një drejtori që ka shërbime është Qendra kombëtare e Biznesit. Drejtoria e Tatimeve. Kemi edhe bizneset e tjera që lidhen me sigurimet shoqërore. Fermerët në Shqipëri kur bëjnë aplikime për subvencione i bëjnë nëpërmjet eAlbanias.

Kanë mësuar të gjithë të bëjnë aplikimin. Kjo na kursen shumë gjëra. Na kursen kohë. Kursen para shumë sepse certifikatat i bën shteti. Është vlerësuar edhe sasia e letrave që nuk printojmë më. Nuk do të ketë më mik. Edhe firma digjitale ka emrin e personit, një shenjë, ka datën edhe orën e firmosur. Çdo gjë është e firmosur tani. Në personel s’do të kemi kursime”, tha Ekonomi.

Ajo tregoi më tej se regjistrat janë kthyer të gjitha digjitale dhe kjo do e bëjë më të lehtë ruajtjen e të dhënave dhe shërbimeve të ofruara”.

“Regjistrat po bëhen të gjitha digjitale. Duhet ta besojmë se si ka ndodhur në vendet e tjera do të ndodhë edhe te ne. Ne kemi brezin e të rinjve që shkëlqejnë në përdorimin e platformave në Shqipëri. Ata që nuk janë të zotë në përdorimin e eAlbanias do të gjejnë një ndihmë nga dikush që është i zoti. Sigurimet shoqërore do të kenë dikush që do i ndihmojë. Do të jenë edhe numrat e gjelbra. Mjafton t’i marrësh në telefon dhe ajo thirrje ndiqet. Sot çdo gjë ndiqet. Hera e parë ishte që muret mbrojtëse funksionuan”, tha ministrja.

Ekonomi u ndal dhe në administratën publike dhe të gjitha hapat që janë ndjekur për të pasur shërbim sa më dinjitoz.

“Në televizionin tuaj jeni shumë preciz. I dini detyrat, ku duhet të vini këtu, i keni të ndara detyrat. Kjo mënyrë e të punuarit duhet të funksionojë dhe në shtet. Shqipëria ka bërë hapa të mirë në administratën publike. Kemi marrë vlerësime të mira nga SIGMA. SIGMA është një grup ekspertësh të kontraktuar nga BE për të matur qeverisjen e mirë. Ajo matet me 6 komponentë, një prej ta është edhe administrata publike. Gjithsecili duhet të rri te vendi i vet. Këto janë në letër. Të gjitha këto gjëra duhet të jenë të dallueshme. Ky nuk është qëllimi kryesor. Unë administratën publike e kam në funksion të qeverisë. Digjitalizimi të jep mundësinë t’i përgjigjesh më mirë qytetarëve. Janë procese që nuk ndalen më. Administrata është më e lirë nga qeveria”, theksoi Ekonomi.

Për ministren administrata është e motivuar dhe shteti përpiqet që të bëjë konsiderime pagash sistematikisht.

“Në momentin që ndihesh i dobishëm te vendi yt i punës normal që ndihesh i gëzuar. Nuk e di në ka ndonjë anketim për këtë gjë. Sa për pagesën, vazhdimisht janë konsideruar pagat e administratës. Ka nepotizëm në sektorin privat. Ka plot djem dhe vajza, burra e gra që kanë talentin për të qenë në administratë”, tha Ekonomi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb