TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka dalë sot sërish para mediave për të folur për situatën në PD dhe kërkesën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Teksa ka vendosur për mediat një deklaratë të deputetit Flamur Noka për çështjen e Kuvendit, si duhet të mblidhet në bazë të statutit, e bërë në fund të tetorit, Bardhi i ftoi mbështetësit e Berishës të ndjekin procedurën siç Noka e ka shpjeguar në këtë datë.

Ai tha se nuk ka palë në PD dhe cilido që synon të përçajë PD dhe të krijojë palë i shërben regjimit të Edi Ramës duke kërkuar që hallet personale t’i mbajnë në shtëpitë e tyre.

“Rregullat janë të qarta, kërkesat duhet të përcillet në protokoll dhe padyshim që do dëgjohet zëri i çdo demokrati, qoftë ky i pakicës së pakicës.

U provua që nuk u arrit do të mblidheshin firmat e ¼ të anëtarëve të Kuvendit, u shpikën rregulla të reja, u ble një kasafortë dhe u mbyll vullneti i tyre në kasafortë. Po bëhet show e tallje me ata që kanë firmosur, sado i vogël numri i tyre.

E ftoj të ndjekin ekzaktësisht procedurën, jo atë që ka shpjeguar dje sekretari i përgjithshëm i PD, por procedurën që ka përshkruar më 29 tetor zoti Noka. Ju lutem depozitoni kërkesën në protokollin e PD-së. Jepini mundësinë institucioneve të PD-së të ndjekin procesin dhe të mbledhim kuvendin kombëtar të PD-së. Zyrtarët dhe anëtarët e Kuvendit janë njerëz të lirë dhe që kanë mendimin dhe vlerësimi ne tyre që duhet të dëgjohet.

Nuk ka palë në PD, cilido që trajton palë në PD, ka një qëllim. Nuk do duhet të ketë palë në PD. PD është një, është e demokratëve, është pronë e demokratëve, cilido që për një interes momental personal, apo një hall personal synon të përçajë PD-në, synon të krijojë palë në PD, nuk iu bën shërbim demokratëve, por regjimit të Edi Ramës. Ne kemi një interes të përbashkët, rrëzimin një orë e më parë të regjimit të Edi Ramës. Hallet personale t’i mbajnë në shtëpitë e tyre, jo në shtëpinë e demokratëve”, deklaroi Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb