TIRANË

Ministria e Arsimit ka reaguar pas lajmit të publikuar nga “BalkanWeb” në lidhje me rrezikun e mbylljes së 11 degëve në Universitetin e Shkodrës. Në një reagim, MAS shprehet se nuk ka pasur asnjë kërkesë për dialog dhe se në asnjë rast dialogu nuk refuzohet.

“Në lidhje me lajmin e publikuar sot me titull ‘Rrezikohet mbyllja e 11 degëve në Universitetin e Shkodrës, Ministria e Arsimit refuzon kërkesën për dialog, pedagogët paralajmërojnë përballje gjyqësore’, dëshirojmë t’ju informojmë se ministria nuk ka patur asnjë kërkesë për dialog. Në raste kur kërkohet dialog, në asnjë rrethanë nuk refuzohet dhe nuk mund të refuzohet nga ana jonë”, deklaron Ministria e Arsimit.

Ajo sqaron më tej se “universiteti i Shkodrës Luigj Gurakuqi ka depozituar një memo të senatit akademik të këtij universiteti, ‘për miratimin e rezolutës për kriterin e notës mesatare’”.

“Sipas tyre kriteri i notës konsiderohet shkelje e autonomisë së universitetit. Por në vlerësim të kuadrit ligjor, kjo vendimmarrje e senatit akademik të universitetit të Shkodrës është e pabazuar në ligj. Përgjigjen zyrtare për këtë MAS e ka përcjell tek ky universitet. Nuk është kompetencë e senatit akademik që të përcaktojë notën mesatare të pranimit në një program studimi të ciklit të parë apo të integruar”, deklaron MASR.

Rënia e numrit të studentëve në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe rrezikshmëria në të ardhmen për mbylljen e disa degëve, ka detyruar asamblenë e këtij universiteti, që përbëhet nga pedagogët, të zhvillojë një mbledhje lidhur me këto problem.

Pedagogu dhe drejtuesi i asamblesë, Arben Prendi, tha se rezoluta që ka dërguar senati i universitetit të Shkodrës për dialog lidhur me autonominë e universiteteve publike është refuzuar nga Ministria e Arsimit, duke kërkuar që senati ta vijojë këtë betejë me hapa të mëtejshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb