Kreu i Partisë Demokratike në një intervistë të dhënë për gazetaren Elona Meço në Radio Televizionin Kombëtar ka folur mbi situatën e opozitës ku ka thënë se sot vendi ka një opozitë të vërtetë, gjë që sipas tij e ndjen dhe kryeministri Rama më shumë se kushdo tjetër.

Sipas tij në bazë të sondazheve të kryera ka një prevalencë të plotë të opozitës mbi qeverinë, ndërsa shtoi se në sondazhe të tjera, rënia e tij është e lirë dhe, po kështu, e lirë, është e rënia e qeverisë së tij.

Ai gjithashtu tha se nuk ka palë tjetër të PD, ndërsa tha se ka vetëm qeveri dhe ambasadorja Yuri Kim. Sipas tij “grupimi tjetër i PD është një mashë e tyre, qeveria do t’i rrëmbejë logon PD-së, pra Edi Rama, ndihmuar në mënyrën më absurde dhe më të papranueshme nga ambasadorja Yuri Kim”.

Intervista

Nuk duket se kanë ndryshuar shumë gjëra nga koha kur këtu ishte Lulzim Basha. Por përtej pamjes së jashtme, çfarë ndodh ndryshe në këtë zyrë që kur e drejtoni ju? 

Sali Berisha: Ka një permbysjë të vërtetë në mënyrën sesi drejtohet opozita. Sot Shqipëria ka një opozitë të vërtetë dhe këtë e pranojnë universalisht. E ndien këtë Edi Rama më shumë se kushdo tjetër, që del para mediave në mëyrë konstante. Edhe kur feston, e bën me zë të dridhur nga opozita.

Ai del në mënyrë konstante se ka nisur një tur, por ..

Sali Berisha: Ai ka nisur turin e partisë shtet. Ai është turi i fundit i tij, i turpshëm, sepse po mbledh rrogëtarët, shkollat dhe qartë po garon si parti  shtet.

Ju thatë që jeni opozitë e vërtetë …

Sali Berisha: Nëse u referohemi sondazheve, sondazheve dixhitale, ka një prevalencë të plotë të opozitës mbi Ramën. Në sondazhe të tjera, rënia e tij është e lirë dhe, po kështu, e lirë, është e rënia e qeverisë së tij.

Por nuk ka as rritje për opozitën. 

Sali Berisha: Po të mos qe opozita e vërtetë, ata sot do të ishin siç kanë qenë, lart e më lart. Por opozita tani është një opozitë e besueshme nga qytetarët. I besohet plotësisht fjala. Opozita  bën denoncime të bazuara mbi të vërteta dhe sipas rastit jep alternativa. Pra, nuk është më një freskore e regjimit, por janë forca politike që qendrojnë ballë për ballë, të vendosura për ta mposhtur regjimin.

Si e shpjegoni që pjesa më e madhe e deputetëve të PD nuk iu është bashkuar akoma?

Sali Berisha: Nuk është e vërtetë që janë shumica. Është e vërtetë që janë një pjesë që mbajnë qendrime të tjera.

Sa deputetë ju mbështesin ju? Pra, nga 59 të PD, pa 7 aleatë, mua më duket se nuk jeni shumica.

Sali Berisha: Unë mendoj se shumica janë me PD. Janë disa rrethana të caktuara, por shumica janë me PD.

Me ju është pyetja sa janë.

Sali Berisha:  Po, me mua pra, me PD që unë drejtoj. PD tjetër nuk ka.

Ju pengon në objektivat që keni padia gjyqësore me palën tjetër? Mungesa e vulës zyrtare, logos, etj?

Sali Berisha: Nuk ka palë tjetër këtu. Ka qeveri dhe është dhe guvernatorja Yuri Kim.

Dhe grupimi tjetër i PD. 

Sali Berisha: Jo, ata janë një mashë e tyre. Këtu është qeveria, që me çdo kusht, do që t’i rrëmbejë logon PD-së, pra Edi Rama, ndihmuar në mënyrën më absurde dhe më të papranueshme nga ambasadorja Yuri Kim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: