Vittorio Zucconi
Një tjetër luftë “për t’u dhënë fund gjithë luftërave” vazhdon në Libi, nga ana e presidentit amerikan, i cili tetë vjet më parë hyri në Shtëpinë e Bardhë, duke premtuar pikërisht, “kurrë më luftëra”.

Kështu që kishte të drejtë, Barack Obama, kur, ndonëse falënderonte, e kishte gjykuar një grimë “të parakohshëm” Çmimin Nobel për Paqen, që iu dha në bazë të fjalimeve, jo veprimeve.
Bombardimi në Sirte, qyteti në duart e ISIL, siç e quajnë amerikanët me të drejtë Kalifatin, duke i shtuar akronimit edhe një “L” për “Libinë”, nuk është demonstrimi i një luftëdashjeje të rigjetur nga ana e një njeriu, i cili gjatë gjithë kohës është akuzuar për të kundërtën: shumë hezitime dhe druajtje, në luftën e re që nuk është luftë, kundër xhihadistëve që presin fyte.

Ajo është – dhe kjo është jo pak e trishtë – prova e përsëritur, se sa pak vlerë konkrete kanë ato fjalë dhe ato premtime të bëra në fushatat elektorale, si kjo që po shohim mes Trumpit dhe Clintonit, që na përmbytin me fjalë. Presidenti pacifist, që përfundon mandatet e tij duke bërë luftë, është në traditën historike të izolacionistëve alla Uilson dhe Roosevelt, që u shndërruan në intervencionistë, e Bushit që kishte garantuar se do të përdorte forcën vetëm në rast kërcënimi të drejtpërdrejtë ndaj SHBA, por që më pas u hodh me kokë në pusin iraken, e Reaganit antisovjetik, që përqafoi Gorbaçovin. Edhe Obama është një rikonfirmim, i mirë për të ardhmen si me Donaldin si me Hillarynë, se nuk ka presidentë që ndryshojnë botën, por është gjithmonë bota që i ndryshon ata. /Bota.al

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: