Dy pikë në tre ndeshjet e fundit janë shifra që flasin për një krizë në Shkodër, por për fatin e mirë të trajnerit Brdaric, këtë të shtunën në “Loro Boriçi” presin Apoloninë, një rival i lehtë në letër por as ky fakt nuk e qetëson teknikun gjerman, kjo është thjeshtë një sfidë e radhës ku objektivi mbetet i njëjtë, fitorja:

“Duhet të respektojmë në maksimum çdo kundërshtar. Nuk ka rëndësi nëse është Apolonia apo ndonjë ekip, përgatitemi me të njëjtën mënyrë. Nesër është një ndeshje e radhës që vlen 3 pikë. Ky është synimi jonë dhe duhet të shkojmë përpara”.

Forma jo e mirë e shfaqur në sfidat e fundit ka bërë që gara për titull të rihapet ndërsa rivalët e Vllaznisë të besojnë akoma më shumë. Trajneri Brdaric nuk dëshiron të kthej kokën pas e aq më pak të gjejë justifikime:

“Nuk dua të gjej justifikime. Jemi realistë. E dimë që në javët e fundit nuk kemi patur rezultatet që njerëzit prisnin. S’mund të ndryshojmë fushat dhe arbitrat. Ajo që duhet të ndryshojmë është loja jonë dhe të shfrytëzojmë mundësitë. Të gjithë presin që ne të thyhemi. E kemi treguar në të kaluarën se kur thyhemi dimë të ri ngrihemi”

Në javët e fundit trajneri i Vllaznisë është ankuar shumë për terrenet apo për faktin që gjithnjë bie shi, këtë të shtunë mund të bie dëborë por ky detaj nuk e shqetëson më:

“Nuk ka rëndësi nëse bien shi, borë, mace apo qen. Kemi punuar shumë mirë. Asgjë se ndalon Vllazninë”.

Më shumë se sa terrenet këtë periudhë trajnerin e kanë shqetësuar dy sulmuesit kryesorë, Dilaver dhe Hoxhaj, Brdaric shpreson që kjo të jetë sfida e duhur që të dy të rikthehen tek goli.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb