Prokuroria e Tiranës i ka dërguar një fletëthirrje kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Shkëlqim Ganaj. Kjo për shkak se tashmë është regjistruar procedimi penal kryesisht dhe pa autorë, me dyshimin se ILDKPKI nuk ka vepruar në hetimin dhe denoncimin e rasteve të përfshirjes në konflikt interesi të zyrtarëve të lartë. Për këtë arsye Ganaj do të thirret nga prokurorët për të dhënë dëshminë e tij lidhur me hetimin e hapur ndaj institucionit që ai drejton.
Më herët grupi Task–Force i prokurorisë së Tiranës ka bërë me dije se dyshon për abuzim të detyrës për një periudhë prej 3 vjetësh, gjatë së cilës Ganaj nuk ka raportuar asnjë rast të konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë.
“Procedimi penal nisi në bazë të të dhënave dhe fakteve të njohura publikisht për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në rastet e konfliktit të interesit, të cilat nuk janë hetuar nga ILDKPI”, – ka pohuar më herët për “Birn”, Albi Serani, zëdhënësi i Prokurorit të Përgjithshëm.
Prej kohësh, marrëdhëniet mes Prokurorisë dhe ILDKPKI-së kanë qetë të tensionuara, ku palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mbylljen e dosjeve të zyrtarëve të lartë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb